Tiranë, nisin punimet për hapësirat sportive në njësinë 7

17/10/2016 00:00

Fëmijët e njësisë administrative numër 7 në kryeqytet do të kenë shumë shpejt hapësirën e tyre të argëtimit.

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për ndërtimin e këndit të tetë të lojërave për fëmijë dhe ambiente sportive për më të rriturit në rrugën “Kongresi i Lushnjes”.

Fillimin e punimeve për këto hapësira të reja u inspektuan nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, i cili theksoi se kjo është një tjetër dëshmi e vendosmërisë për të punuar për të fëmijët.

“Më vjen mirë që fillojmë këndin e tetë të lodrave në qytetin e Tiranës. Ka qenë një vit fantastik, pasi debatet për këndin e madh të lodrave i hapën rrugë ndërtimit të këndit të lodrave në çdo lagje, duke mirëkuptuar që jo të gjithë qytetarët mund të shkojnë te Liqeni, sepse 90% të kohës e kalojnë në xhepa të tillë, mes pallateve, mes komunitetit, në lagjet e tyre”, tha Veliaj.

Ai shtoi se fakti që gjatë këtij viti të parë fokusi ka qenë i gjithi tek fëmijët tregon edhe një herë se punët në Tiranë nuk bëhen për efekte elektorale, por për t’i shërbyer gjeneratës tjetër, e cila sot nuk është e angazhuar në politikë.

Top Channel