Tragjedi për atletin Tyson Gay. I vrasin të bijën 15-vjeçare

17/10/2016 00:00

E diela e 16 tetorit ishte një ditë tragjike për Tyson Gay. Vajza adoleshente e atletit të njohur amerikan, Trinity Gay, mbeti e vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri në Kentaki.

Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit me orën amerikane. Trinity Gay u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi të mbijetojë. Ndërkaq, policia ka nisur hetimet dhe tashmë ka arrestuar dy të dyshuar për këtë shkëmbim zjarri. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, në rrjetet sociale vërshuan mesazhet e ngushëllimit në drejtim të Tyson Gay. 

“Lutjet dhe mendimet tona shkojnë për Tyson Gay dhe më të dashurit e tij për humbjen e  vajzës së tij, Trinity”, lexohet në postimin e Federatës Amerikane të Atletikës në Twitter.

Ndërsa kampionia olimpike në garën me pengesa, Lolo Jones shkruan: “Zemra qan për Tyson Gay dhe familjen e tij. I lutem Zotit të lehtësojë dhimbjen e tyre dhe t’u japë forcë”.

Tyson Gay, 34 vjeç, u shpall kampion bote në 100 m në vitin 2007. Në vitin 2009 ai vendoi rekord të ri për SHBA në këtë disiplinë. Paraqitjen e tij të parë në Lojërat Olimpike e bëri në “Pekin 2008”, për të shënuar më pas emrin mes sprinterëve më të mirë në historinë e atletikës. 

Në Lojërat Olimpike të vitit 2012, Tyson Gay garoi në stafetën 4×100 m me skuadrën e SHBA, duke fituar medaljen e argjendtë, të cilën e dorëzoi pasi një vit më vonë rezultoi pozitiv në testet antidoping. Edhe Trinity duket se po ecte në gjurmët e të atit, teksa garonte për skuadrën e Lafayette High School dhe sipas “Sports Illustrated”, 15-vjeçarja ishte një prej yjeve të rinj të atletikës.

Top Channel