Britania “hap dyert” për minorenët refugjatë nga “xhungla” e Calais

17/10/2016 00:00

Britania e Madhe pritet të strehojë 14 fëmijë emigrantësh nga kampi famëkeq i refugjatëve në Calais (Kalè) të Francës, duke i bashkuar kështu me prindërit apo të afërmit e tyre. Ata janë mes një grupi prej 100 minorenësh, të cilët do të merren në ishull nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Brendshme britanike, bazuar mbi skemën e regjistrimit përpara se kampi i “Xhunglës” të shkatërrohej.

Mes tyre ka afganë, sirianë si dhe fëmijë nga komuniteti Bidun pa shtetësi, të cilët origjinën e kanë nga Kuvajti. Rregullorja e Bashkimit Europian u lejon atyre të kërkojnë azil në Britani, për shkak se atje jetojnë njerëz familjarë apo të afërm të tyre.

Sipas rregullores, kërkesa për azil duhet bërë në shtetin e parë të sigurtë ku shkel personi kërkues, por fëmijëve u lejohet që t’i transferojnë aplikimet e tyre në një vend tjetër, nëse kanë pjesëtarë familjeje që jetojnë atje.

Ligji britanik kërkon gjithashtu mirëkuptimin dhe angazhimin e qeverisë për të transferuar në ishull dhe për t’i mbështetur këta fëmijë refugjatë të pashoqëruar nga të rritur, që vijnë nga Europa.

Me të mbërritur nga kampi i “xhunglës” në Calais (Kalè), detyra e parë e këtyre minorenëve do të jetë regjistrimi në Zyrën britanike të Vizave dhe Emigracionit, pjesë e veçuar nga Ministria e Brendshme, e vendosur në Croydon të Londrës.

Familjet e tyre do t’i presin të vendosur në kishat pranë kësaj zyre, të cilat janë hapur enkas për të pritur ribashkimin e familjarëve me fëmijët e tyre. Ish-kryepeshkopi i Canterbury, Rowan Williams, është vetëm njëri prej udhëheqësve fetarë që do të jetë i pranishëm dhe do t’i takojë këta fëmijë.

Në “xhunglën” e Calais (Kalèsë) përllogariten të jetojnë rreth 10 mijë persona, një vend famëkeq që ndodhej shumë pranë portit të këtij qyteti dhe vetëm pak kilometra larg tunelit që lidh Francën me Britaninë. Duke përfituar nga kjo afërsi, shumë prej emigrantëve janë përpjekur të shkojnë në ishull të fshehur nëpër kamionë apo anije.

Nga ana tjetër, presidenti francez Francois Hollande ka kërkuar zhvendosjen e banorëve të “xhunglës” në qendrat e pritjes anembanë vendit, si dhe shpërbërjen totale të atij kampi. Grupet e ndihmave kanë shprehur shqetësimin mbi mbylljen e planifikuar të kampit, pasi kjo gjë mund të çojë në zhdukjen e këtyre minorenëve, përpara se të regjistrohen.

Top Channel