Trump ngre dyshime për manipulim zgjedhjesh. Pence: Do të pranojmë rezultatin

17/10/2016 00:00

Mbështetësit kryesorë të Donald Trumpit po garojnë mes njëri-tjetrit të shpjegojnë se, ajo që Trump tha apo publikoi në “Twitter” është keqkuptuar. Bëhet fjalë për pretendimin e tij të pabazuar në fakte se, zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit janë “manipuluar” në favor të kandidates demokrate Hillary Clinton.

“Absolutisht që ne do të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve”, tha kandidati republikan për zv.president, Mike Pence, në një shfaqje të së dielës. Vërejtjet e Trumpit reflektojnë irritimin e tij me “paragjykimet e dukshme në mediat kombëtare” që kanë raportuar gjatë muajit të fundit akuzat se Trump ka abuzuar seksualisht me disa gra. Vet manjati i pasurive të paluajtshme i ka quajtur këto pretendime si “gënjeshtra”.

“Kur flet për zgjedhje të manipuluara, ai nuk nënkupton faktin që këto zgjedhje do të manipulohen në kutitë e votimit”, tha ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani. “Ai flet për faktin se 80-85% e medias është kundër tij”.

Realisht, Trumpi paralajmëroi – pa pasur prova, – për manipulim të votave në një “cicërimë” të tij në “Twitter”, edhe pse ata që e rrethojnë janë përpjekur të riformësojnë vërejtjet e tij.

“Zgjedhjet absolutisht që po manipulohen nga media e pandershme dhe shtrembëruese që mbështet Clintonin, por gjithashtu edhe në shumë vendvotime”, shkroi Trump orët e vona të së dielës.

Detyra kryesore për të sqaruar këtë deklaratë bie mbi Pence, guvernatorin e Indianës që po përpiqet të mbështesë Trumpin e pastabilizuar pa dëmtuar perspektivën e tij të ardhshme presidenciale. Kjo nënkuptonte edhe distancimin e tij nga Trump të dielën mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të 8 nëntorit, pasi manjati risolli në vëmendje pretendimin se FBI-ja duhej të kishte ngritur akuza ndaj Hillary Clintonit për shkak të përdorimit të “e-mail”-it personal për funksione shtetërore.

“Clinton duhej ndjekur penalisht, e ndoshta duhej të ishte në burg tani. Por, ajo tashmë po garon për presidente në ato që duken si zgjedhje të manipuluara”, shkroi Trump për 12 milionë ndjekësit e tij. Pence u përgjigj një ditë më pas se “ne do të pranojmë verdiktin e popullit amerikan. Për këtë mund të vendosni edhe bast”.

Top Channel