Mal i Zi, mes të arrestuarve për terrorizëm edhe 6 serbë nga Mitrovica

17/10/2016 00:00

Në mesin e 20 personave të arrestuar gjatë ditës së dielë në Podgoricë, të dyshuar për sulme terroriste në ditën e zgjedhjeve parlamentare të Malit të Zi, gjenden edhe 6 persona nga veriu i Mitrovicës. Lajmi bëhet i ditur nga “KosovaPress”.

Sipas burimeve të medias kosovare, ata janë Stefan Velimiroviç (1991), Bojan Kovaçeviç (1976), Vladimir Bozhoviç (1995), Goran Kovaçeviç (1999) , Luka Gjorgjeviç (1998), të gjithë këta nga Mitrovica, si dhe Nikola Gjorgjeviç (1995) nga Zubin Potoku. Ata besohet se kanë hyrë të shtunën nga Kosova në territorin e Malit të Zi, ku kishin planifikuar sulme terroriste.

“Ky grup i armatosur dhe i udhëhequr nga ish-shefi i xhandarmërisë serbe, Bratisllav Dikiç, ka planifikuar sulme terroriste në ditën e zgjedhjeve, me qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, duke përfshirë këtu edhe pengmarrjen e kryeministrit aktual të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç”, kanë thënë burimet e “KosovaPress”.

Ato kanë shtuar më tej se një pjesë e këtij grupi, besnikë të politikës së Serbisë në lidhje me Kosovën, kanë gjetur strehë në veri të vendit të mbështetur edhe nga elementë radikalë e prorusë, si dhe janë stërvitur gjatë muajve shtator-tetor intensivisht për akte terroriste.

Bratisllav Dikiç, ish-shefi i xhandarmërisë serbe, ka ndërhyrë edhe në zgjedhjet serbe në Kosovë, të mbajtura në nëntor të vitit 2013. Në atë kohë, ai ishte akuzuar nga partitë opozitare se kishte vendosur eksploziv në disa vendvotime, në mënyrë që t’i ndërpriste zgjedhjet.

Top Channel