Tërmetet tundin Jugun, të tjera lëkundje sizmike me qendër në Janinë

16/10/2016 00:00

Frika e tërmetit të rënë mbrëmjen e së shtunës në Kalpaqi të Greqisë, lëkundjet e të cilit u ndien edhe në Shqipëri, bëri që shumë banorë në Gjirokastër e qytete të tjera në Jug të vendit ta kalonin natën jashtë.

Tërmeti i regjistruar në orën 22:15, me magnitudë 5.3 të shkallës Rihter, deri më tani është pasuar nga mbi 160 lëkundje, shumica e të cilave ishin në magnituda të ulëta, por 12 prej tyre u ndienë edhe në Shqipëri. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale.

Lëkundjet e një dite më parë, të cilat u ndienë edhe në Përmet, kanë ngjallur frikë te banorët e këtij qyteti.

Siç shihet edhe në hartën e Institutit Sizmiologjik të Greqisë, toka mes Kakavijës dhe Janinës vijon të jetë e paqëndrueshme, e bashkë me të edhe frika e njerëzve.

Tërmetet në Greqi nuk janë një dukuri jo e zakontë, pasi zona është përcaktuar nga sizmiologët tepër sizmike. Lëkundjet që pasuan tërmetin , kanë detyruar shumicën e banorëve të Janinës të kalojnë orë të gjata jashtë shtëpive të tyre.

Lëkundjet e tij u ndjenë përgjatë vijës bregdetare veriperëndimore të Greqisë, në qytete si Preveza, ishulli i Korfuzit dhe Patra. Fatmirësisht në vend nuk janë raportuar viktima.

Në Kalpaki disa shtëpi kanë pësuar dëme materiale, po ashtu edhe një Manastiri në Asprangeli i janë shembur disa mure. Sipas profesorit të Gjeologjisë Efthimios Lekkas, Tërmeti i së shtunës ka ndodhur nga e njëjta lëvizje arkitektonike, e cila shkaktoi tërmetin e rëndë në vitin 2000 në Greqi.

Top Channel