Durrës, drejt fundit projekti për rindërtimin e rrjetit vaditës

16/10/2016 00:00

Brenda tetorit, fermerët në Durrës do të kenë në funksion të plotë kanalet kulluese, të cilat po rihapen dhe së shpejti do të jenë gati për punë. I shoqëruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako, kryeministri Edi Rama ka inspektuar nga afër punimet për rivitalizimin dhe vënien në funksion të këtyre kanaleve.

Dako u shpreh: “Rezervuarin e hapëm 2 muaj më parë, tani realizuam edhe këtë kanal vaditës. Ka një vlerë të punimeve rreth 60 milionë lekë. Janë rreth 5 mijë familje, të cilat merren me bujqësi dhe përfitojnë nga ky investim. 25 vjet që ky kanal i ndërtuar në atë kohë, por që nuk ka funksionuar asnjëherë.”

Drejtuesi i punimeve thotë se janë dy faza për punimet që pritet të mbarojnë brenda 2 javëve: “Arteria kryesore është 7 kilometra dhe kanalet e dyta janë rreth 21 kilometra, të cilët u vunë në punë brenda 30 ditëve dhe vunë gati 5-6 mijë hektarë në ujë për këtë periudhë. Faza e parë ka përfunduar dhe skema tjetër përfundon brenda 10-15 ditësh. I kemi kushtuar shumë rëndësi veprave të artit për hyrjen e familjarëve, ura, me mjete, me këmbësorë, plus dhe pastrimet janë bërë në mënyrë perfekte”.
 
Më pas, kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në rrugën Vrinë-Fshati Rinia, e cila lidh tregun me bregdetin, një investim 81 milionë lekë.

“Kjo është një rrugë 5.5 kilometra, që i shërben afro 5 mijë banorëve të kësaj zone. Kjo është zonë jo vetëm industriale, bujqësore, por dhe zonë turistike, sepse përfundimi i kësaj rruge lidh autostradën me bregdetin. Pra, është një plazh i ri, një zonë e re për të zhvilluar dhe këtë vit ka pasur shumë pushues”, tha Dako.

Vangjush Dako shtoi se bashkia ka të tjera plane infrastrukturore për këtë zonë, e cila është shndërruar vitet e fundit në një destinacion të ri për turistët.

Top Channel