PD: Prokuroria heton popullin, por jo ata që vjedhin popullin

16/10/2016 00:00

Partia Demokratike, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, deklaroi se “Prokuroria heton protestën e popullit, por nuk heton ata që i vjedhin votën popullit”.

“Prokuroria ka përfunduar hetimet për protestën e popullit më 8 dhjetor kundër rivendosjes së simbolit komunist në qendër të Tiranës dhe ka vërtetuar një dëm prej 5 mijë euro, ndërkohë që organi i akuzës nuk ka bërë një hap të vetëm për 320 milionë euro koncesione korruptive në shëndetësi, nuk ka bërë asnjë hap të vetëm për 1 miliardë euro dëm shkaktuar shtetit në një vit nga kjo qeveri sipas raportit të KLSH, nuk ka bërë një hap të vetëm për 400 milionë dollarë të vjedhura në një vit në tatime e dogana dhe ende nuk ka vënë para ligjit një drejtues të lartë për drogën që ka pushtuar çdo territor të vendit.
Prokuroria heton protestën e popullit, por nuk heton ata që i vjedhin votën popullit, sic ndodhi në Dibër, ku Partia Demokratike ka dorëzuar një kallëzim penal më 1 shtator duke treguar emrat dhe rolet e grupit të strukturuar që prishi zgjedhjet atje. Prokuroria nuk ka bërë asnjë transparencë dhe nuk ka informuar as palën kallëzuese për këtë proces, siç e ka detyrim.
Prokuroria heton protestën e popullit kundër bunkerit komunist, por nuk heton ata që ndërtuan aty pa leje përbindëshin e betonit, duke abuzuar me ligjin dhe me taksat e qytetarëve.
Heton protestën e popullit por nuk heton ata që po vjedhin çdo ditë popullin, që kanë prishur garën, kanë fiksuar tenderat, që i japin gjithë fondin limit miqve e klientelës duke shkelur haptazi ligjin”, tha Ristani.

Top Channel