“Maratona e jetës”, në Sarandë. Sensibilizim kundër kancerit të gjirit

16/10/2016 00:00

Në muajin ndërkombëtar kundër kancerit të gjirit, në Sarandë është zhvilluar “Maratona e jetës” për të sensibilizuar mbi parandalimin dhe diagnostifikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje. Dhjetëra nxënës e qytetarë vrapuan në shëtitoren e qytetit, për të shpërndarë mesazhe sensibilizuese.

“Për të sensibilizuar gratë, motrat e nënat tona, që përtej vështirësive të ditës dhe pamundësive ekonomike, ndonjëherë edhe rutinës ku përfshihemi, të gjejnë kohën e të bëjnë një kontroll të përvitshëm”, tha Floriana Koka, kryetare e Bashkisë së Sarandës.

Dr. Adrian Gurma, imazherist, bëri apel për ta kapur këtë sëmundje në fazën e hershme, pasi shumica e pacientëve mbërrijnë për trajtim vetëm kur sëmundja është në fazën e avancuar të saj, duke shtuar rrezikun për jetën.

“Ka një rritje të numrit të prekjeve me kancer të gjirit. Infrastruktura është, duhet më tepër ndërgjegjësim i popullatës”, tha Adrian Gurma.

Edvin Zhupa, përfaqësues i klinikës së specializuar në diagnostifikim, në Sarandë, thotë se vetëm në dy vitet e fundit, numri i pacienteve me kancer të gjirit arrin në 25.

“Interesimi nuk është edhe aq i madh, për arsye edhe të informacionit të paktë që ekziston në Shqipëri”, shprehet Edvin Zhupa, organizator i maratonës.

Vdekshmëria prej kancerit të gjirit, sipas të dhënave zyrtare shkon në 75% të pacienteve, e shkak për këtë është zbulimi në fazë të avancuar të sëmundjes.

Top Channel