Bashkia e Tiranës rehabiliton trotuaret dhe rrugën “Ali Demi”

16/10/2016 11:55

Një tjetër projekt i Bashkisë së Tiranës ka përfunduar sot. Është fjala për rrugën “Ali Demi”, e cila falë investimit të bashkisë, por edhe kontributit të banorëve përmes pagesës së taksës së parkimit, tashmë është asfaltuar dhe me trotuare të reja, sinjalistikë, ndriçim rrugor, si dhe një rrjet të ri kanalizimesh.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Ditmir Bushati, teksa inspektoi mbylljen e punimeve, theksoi se ky është një nga projektet kryesore që synon përmirësimin e infrastrukturës në njësinë nr.1, pasi së shpejti nisin punimet edhe për disa projekte të tjera në këtë zonë.

“Kemi përfunduar me rrugën “Ali Demi”, e cila fillimisht nisi me sistemimin e trotuareve, por, falë pagesave që u mblodhën nga qytetarët që kanë paguar parkingun në Tiranë, rritëm investimin dhe mundësuam shtrimin e rrugës, duke bërë edhe disa ndërhyrje të vogla në infrastrukturë. Së pari, falenderoj qytetarët sepse falë pagesave të tyre kemi bërë më shumë investime se ç’kishim planifikuar këtë vit dhe mezi pres që të hapim edhe rrugën “Ali Shefqeti”, tha Veliaj. Ai gjithashtu bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë puna edhe për zgjerimin e urës së Shkozës.

Rehabilitimi i rrugës “Ali Demi” në një gjatësi prej rreth 2 km, por edhe i rrugëve “Emin Harizi” dhe “Shemsi Haka” që janë përreth fushës “Ali Demi”, iu vjen në ndihmë rreth 55 mijë banorëve që jetojnë në këtë zonë.

Top Channel