Ambasadori rus në OKB: Tensionet me SHBA, më të rëndat që prej 1973-shit

16/10/2016 00:00

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara është shprehur se, tensionet me Shtetet e Bashkuara kanë arritur pikën më të lartë që prej luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973. Megjithatë, Vitaly Churkin u kujdes të nënvizonte gjithashtu se marrëdhëniet e Luftës së Ftohtë mes ish-Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-ve, mbi 40 vite më parë, ishin të ndryshme nga marrëdhëniet e sotme Rusi-SHBA.

“Situata e përgjithshme është shumë e keqe në këtë pikë, ndoshta më e keqja që prej 1973-shit”, tha ai në një intervistë me 3 gazetarë nga selia e OKB-së. Por Churkin deklaroi më tej se “edhe pse kemi ndasi tepër të mëdha në disa çështje, si për shembull Siria, ne vazhdojmë të punojmë së bashku për çështje të tjera, e në disa raste shumë mirë”. Kjo nënkupton se, gjendja e sotme është ndryshe nga ajo e Luftës së Ftohtë.

Kur Egjipti dhe Siria nisën një sulm të befasishëm kundër Izraelit në ditën më të shenjtë të kalendarit hebraik në tetor të vitit 1973, e gjithë Lindja e Mesme u përfshi nga vorbulla e trazirave. Sipas historianëve, kërcënimi i shpërthimit të një lufte mes Bashkimit Sovjetik, që mbështeste arabët, dhe Shteteve të Bashkuara, aleatit më të ngushtë të Izraelit, gjatë luftës “Yom Kippur”, ka qenë në nivelet më të larta që prej krizës së raketave në Kubë në vitin 1962.

Churkin tha se ka një “sërë çështjesh” që i kanë sjellë marrëdhëniet SHBA-Rusi në pikën aktuale të ulët. “Bëhet fjalë për një parim themelor, mungesën e respektit dhe mungesa e diskutimeve të thella mbi çështje politike”, tha ai.

Ambasadori rus vuri në dukje dy prej këtyre çështjeve: vendimin që SHBA-të dhe NATO kanë ndërmarrë për të zgjeruar sigurinë e tyre “në dëm të Rusisë”, duke pranuar një sërë kombesh të Europës Lindore, dikur pjesë e bllokut sovjetik, si anëtarë të aleancës atlantiko-veriore, si dhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Traktati i raketave Antibalistike në vitin 2001.

Një nga “provokimet më të mëdha” gjatë administratës së presidentit George Ë. Bush ishte samiti i vitit 2008 i NATO-s, që vendosi se Ukraina dhe Gjeorgjia duhej të bëheshin anëtarë të kësaj aleance, shtoi më tej ai. Por mbi të gjitha, sipas tij, qëndron konflikti që shpërtheu në Ukrainën lindore në prill të vitit 2014, vetëm pak javë pasi presidenti i mbështetur nga Moska i Ukrainës u rrëzua nga pushteti përmes protestave masive. Churkin e quajti atë “një grusht shteti” i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Ndaj dhe, menjëherë pas këtyre trazirave, Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë, gjë që solli edhe vendosjen e sanksioneve të rënda ekonomike e financiare nga Perëndimi për Moskën.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar edhe më tej gjatë muajit të kaluar, pas shkeljes së armëpushimit në Siri dhe përshkallëzimit të bombardimeve ndaj Aleppos nga avionët sirianë dhe ato rusë, por edhe akuza e Shteteve të Bashkuara se Rusia po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm.

Por, megjithë marrëdhënieve të tendosura mes tyre, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, si dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, u takuan të shtunën në Lozanë të Zvicrës, në përpjekje për të shqyrtuar mundësitë për rikthimin e një armëpushimi në Siri.

E pavarësisht kontradiktave, Churkin ka përmendur edhe një sërë arritjes pozitive. Ai theksoi marrëveshjet në Këshillin e Sigurimit së OKB-së gjatë viteve të fundit, të mbështetura nga Moska dhe Uashingtoni, edhe mbi Sirinë: konkretisht lejimin e kalimit të ndihmave humanitare edhe pa miratimin e qeverisë siriane, si dhe ngritja e një ekipi ekspertësh për të përcaktuar përgjegjësinë e sulmeve me armë kimike në vend. Ai përmendi gjithashtu edhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit për të luftuar terrorizmin.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ishin gjithashtu lojtarë kyç në marrëveshjen bërthamore të vitit të kaluar me Iranin, ndërsa vetëm një javë më parë ata ranë dakord për nominimin e ish-kryeministrit portugez, Antonio Guterres, për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Gjë që sipas Churkin “mund të konsiderohet edhe si suksesi më i përkryer i Këshillit të Sigurimit në 5 vitet e fundit”. Guterres u zgjodh më pas në unanimitet edhe gjatë Asamblesë së Përgjithshme të ditës së enjte.

Në fund, Churkin thotë se Rusia do të dëshironte të normalizonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. “Nëse ndryshimi i administratës do të ndihmojë disi në këtë aspekt, kjo do të ishte e shkëlqyeshme. Por edhe nëse presidenti Barack Obama do të qëndronte për një tjetër mandat, gjë që e ka të pamundur, ne do të përpiqeshim të rikthenim në normalitet marrëdhëniet tona”.

Top Channel