Malazezët u janë drejtuar kutive të votimit në zgjedhjet e përgjithshme, që cilësohen si një referendum mes Rusisë dhe Perëndimit.

Partia qeverisëse përballet me sfidën më të fortë në 27 vite pushtet dhe shpreson se, premtimi i saj për anëtarësimin e vendit të NATO dhe afrimin me BE-në të vlerësohet më shumë nga votuesit, sesa akuzat e opozitës për korrupsion dhe nepotizëm.

NATO ftoi vendin e vogël ballkanik me 620 mijë banorë, që t’i bashkohet kësaj aleance, pjesërisht për shkak të influencës ruse në Malin e Zi.

Kryeministri Milo Djukanoviç e paraqiti procesin e votimit si një zgjedhje mes integrimit perëndimor, që ofron partia e tij socialdemokrate, dhe shndërrimit në një koloni ruse, nëse fiton opozita. Djukanoviç akuzon partitë opozitare, edhe disa që janë properëndimore, se marrin parà nga Rusia.

Këto parti, por edhe Moska, i kanë hedhur poshtë akuzat. Opozita mendon se akuzat e kryeministrit janë një përpjekje për të mbuluar kulturën e nepotizmit, që ai ka lejuar gjatë qeverisjes së tij.

Analistët thonë se, në mungesë të sondazheve të besueshme në vend, duket se thirrja e opozitës ka një farë tërheqjeje, pasi Djukanoviç është braktisur nga aleatët e tij të vjetër.

Top Channel