Koreja e Veriut teston pa sukses raketën e radhës balistike

16/10/2016 00:00

Koreja e Veriut kreu një test të pasuksesshëm të një raketë balistike me rreze të mesme veprimi. Sipas Shteteve të Bashkuara, që diktuan testin, raketat “Musudan” kanë një rreze veprimi prej 4.000 km, e mjaftueshme për të goditur Korenë e Jugut, Japoninë apo territorin amerikan të Guamit.

Koreja e Veriut nuk reagoi ndaj komenteve amerikane, megjithëse vendi komunist ka kryer mjaft teste raketash dhe armësh bërthamore këtë vit, duke injoruar sanksionet e OKB-së, që e ndalojnë ta bëjë këtë.

Testi i dështuar vjen në një kohë kur shtohen gjithnjë e më shumë zërat se Koreja e Veriut po përgatitet për një test të një raketë me rreze ta gjatë veprimi, apo një test bërthamor.

Sipas Pentagonit, testi i fundit i Koresë së Veriut u krye në afërsi të qytetit Kusong, por nuk paraqiti asnjë rrezik për SHBA-të apo aleatët e tyre. Edhe Koreja e Jugut e konfirmoi lëshimin e dështuar, ndërsa nuk harroi që të kritikonte ashpër veprimet luftënxitëse të fqinjit të saj.

Raketat “Musudan” janë të lëvizshme dhe lëshohen nga kamionët që i transportojnë. Këtë vit, Koreja e Veriut ka testuar të paktën 6 herë raketat të tilla dhe shumica e tyre kanë dështuar. Por në një rast, një prej raketave mundi të fluturojë për 1.000 km.

Tensioni është mjaft i lartë në gadishullin korean, ku SHBA-të dhe Koreja e Jugut po kryejnë stërvitje të përbashkët ushtarake, një formë e zakonshme kërcënimi për Korenë e Veriut.

Top Channel