Haiti, plaçkiten kamionët me ndihma nën sytë e Ban Ki-moon

16/10/2016 00:00

Banorët e zemëruar të Haitit plaçkitën kamionët me ndihma, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së vizitoi zonat e goditura më rëndë në vend nga uragani “Matthew”, që i kushtoi jetën më shumë se 900 njerëzve.

Por ishte plaçkitja, ajo që tërhoqi vëmendjen, ndërsa Ban Ki-moon ishte dëshmitar i një incidenti të tillë në zonën e Les Cayes, ku premtoi më shumë ndihmë për Haitin. Së fundmi, karvanet me ndihma janë plaçkitur disa herë në Haiti, ku banorët ankohen se nuk janë ndihmuar siç duhet.

Tensioni është i lartë në vend, pasi ndihma nuk ka mbërritur ende te shumë familje, të cilave uragani u shkatërroi të mbjellat dhe burimet e ujit. Paqeruajtësit e OKB-së dhe policia lokale përdorin gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën prej dhjetëra njerëzish, që plaçkitën kamionët e radhës.

Ban Ki-moon tha se e kupton padurimin dhe zemërimin e popullsisë që pret ndihmë, ndërsa siguroi se OKB-ja po bën gjithçka që mundet për të lehtësuar mbërritjen e saj atje ku nevojitet.

Zyrtarët lokalë dhe ndërkombëtarë thonë se, më shumë se 1.4 milionë njerëz në Haiti kanë nevojë për ndihmë humanitare. Autoritetet druhen se, në zonat e prekura më rëndë nga uragani mund të shpërthejë epidemia e kolerës, pasi janë raportuar disa raste.

Rreth 120 mijë shtëpi u shkatërruan apo dëmtuam, kur uragani “Matthew” me erëra me shpejtësi mbi 230 km/h goditi Haitin më 4 tetor, katastrofa natyrore e radhës që dërrmon këtë vend të varfër.16

Top Channel