Trump sfidon Clintonin. I kërkon test droge para debatit

16/10/2016 00:00

Kandidati republikan për presidencën, Donald Trump tha se rivalja e tij Hillary Clinton dukej mjaft në formë gjatë debatit të fundit, prandaj ai propozoi që të dy kandidatët të bëjnë testet për drogë para debatit të radhës.

Ai gjithashtu sugjeroi se, gara presidenciale kishte nisur të dukej si zgjedhje të manipuluara. Komentet e Trumpit duken si një mënyrë për të larguar vëmendjen nga publikimi i një videoje, në të cilën ai ofendon femrat, gjë që më pas solli një vazhdë akuzash për ngacmime seksuale.

Gjatë një mitingu në New Hampshire, Trump tha se Clintoni kishte qenë gjithë energji në fillim të debatit, por në fund të tij mezi mbërriti deri te makina e saj.

“Ne duhet që të bëjmë një test për drogë”, deklaroi Trump, pa përmendur prova që mund të mbështesnin pretendimet e tij.

Sipas ekspertëve, ndërsa përballet me sulme të ashpra për sjelljen e tij, Trumpi ka shtuar sulmet personale ndaj Clintonit. Por jo vetëm kaq, pasi ai është përpjekur që të hedhë dyshime edhe mbi ndërshmërinë e zgjedhjeve, duke thënë se ato po manipulohen nga media e korruptuar, që publikon gjënjeshtra.

Vërtetë mund të jetë pas në sondazhe, por Trumpi vazhdon të tërheqë mijëra njerëz në mitingjet e tij dhe të mbledhë sasi të konsiderueshme fondesh, diçka që sipas ekspertëve i çon një mesazh të qartë Hillary Clintonit se duhet të luftojë për Shtëpinë e Bardhë.

Top Channel