Plan kundër Rusisë, CIA gati për sulme kibernetike

15/10/2016 00:00

CIA po planifikon një sulm kibernetik kundër Rusisë, në shenjë hakmarrje për përpjekjet e kësaj të fundit për të ndikuar tek zgjedhjet amerikane, në dëm të demokrates Hillary Clinton. “NBC Neës” raporton se qëllimi i operacionit të gjerë është të vendosë në pozitë të vështirë lidershipin rus.

Burime që kanë njohuri direkte lidhur me situatën, thonë për median se CIA-s i është kërkuar t’i paraqesë opsionet Shtëpisë së Bardhë dhe se shërbimet sekrete amerikane kanë nisur përgatitjet për operacionin që do të shënjestrojë presidentin rus Vladimir Putin dhe taktikat e tij.

Më herët gjatë javës Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan Barack Obama po konsideronte një reagim proporcional ndaj Moskës, të cilën e akuzon për sulmet kibernetike kundër fushatës demokrate në garë presidenciale.

Sipas burimeve të cituara nga NBC News administrata Obama është e përçarë lidhur me faktin nëse duhet të hakmerren në të njëjtën mënyrë.

“Ne mund t’i kujtojmë rusëve se dimë të luajmë sipas rregullave të tyre, por pastaj ata mund të na bëjnë keq përmes veprimeve të tjera”, ishin fjalët e një ish zyrtari të CIA-s që ka punuar lidhur me Rusinë.

I njëjti burim zbuloi gjithashtu se nuk ishte një praktikë e pazakonte për SHBA-në t’i kërkonte CIA-s opsione për masa kundër Rusisë, por sipas tij në çdo rast ato kishin mbetur thjesht kërkesa.

Një tjetër ish-zyrtar beson se vënia në vështirësi e Putin-it ishte diçka që duhej menduar mirë, pasi çdo gjë që do të bënin SHBA-të do të pasohej nga kundërpërgjigjja e Moskës.

Wikileaks, faqja e themeluar nga Asange, ku janë publikuar email-et e vjedhura nga llogaritë personale të zyrtarëve demokratë, mes të cilëve Hillary Clinton e John Podesta, vë në dyshim seriozitetin e sulmeve kibernetike ndaj Rusisë.

Top Channel