Kuti shkrepësesh të lidhura me filispanjë, dylbitë dhe aparaturat e babait ushtarak do të zgjonin tek një vajze 6-vjeçare pasionin, i cili do ta shoqëronte për gjithë jetën.

Sot Leonora Murra numëron plot 45 vite si fotografe, por sërish nuk ndahet dot nga aparatet e saj fotografikë. Kujton me nostalgji mjeshtrin italian që i mësoi zanatin, ndërsa thotë se fotografia bardhezi vijon që të jetë dashuria e saj.

“Unë kam qenë gjashtë vjeçe kur kemi qenë në Sazan. Babai im ka qenë ushtarak. Merrja ato dylbitë buzë detit dhe shikoja dhe më pëlqente fotografia sepse babai im ishte marrë si ushtarak dhe kishte shumë aparate fotografike ruse në shtëpi. Dikur me shoqen disa kutija shkrepseje i lidhnim me spango dhe bënim sikur shkrepnim fotografi”, thotë ajo.
  
Ndërsa ishte ende fëmijë dhe mahnitej nga laboratori, Leonora Murra dalëngadalë do të mësonte të luante me ndriçimin, ngjyrat dhe zbukurimet e asaj kohe. Fotoja e parë padyshim është ruajtur me fanatizëm.

“Ka qenë fotografia e familjes time”, tregon Leonora.

Në vitin 1969, ajo thote se përjetoi eksperiencën më të paharrueshme.

“Enver Hoxha pati ardhur në Llakatund për një vizitë. Unë kam bërë shkrepjen e atyre fotografive dhe ka qenë fotografia ime më e madhe. Kisha shumë emocione”, rrëfen sot ajo.

E dashuruar me aparatin ajo do të ishte gjithmonë me të. Por  ndërsa fotografonte shoqet në zbor, Leonora përjetoi një tjëtër eksperiencë që i la gjurmë.

“Mora një të vjetër sovjetike që mua më dukej yll në atë kohë. Edhe kur flija e mbaja që të mos ma prekte njeri”, thotë Leonora.

Por si u përshtat Leonora me zhvillimin e madh që pësoi arti i të fotografuarit? Ajo tregon aparatet që ka punuar ndër vite, që i ka ruajtur që të gjithë në inventarin e vet. Dashuria e saj është fotografia bardhezi.

“Fotografia bardhezi nuk vdes kurrë. Vijnë turistë anglezë që interesohen për fotografinë bardhezi, që është shumë e bukur. Për mua fotografia bardhezi është ndjenjë dhe unë do të vdes me këtë ndjenjë”, shprehet Leonora.

Gjyshe Leonora me krenari tregon trashëgiminë që ka ruajtur për nipërit e saj.
 
“Do t’ua lë me emra kur të vdes këto aparatet”, thotë ajo.
 
Edhe pse po përjeton zhvillimin teknologjik HD, fotoshop e filtra, Leonora Murra vazhdon të jetë e mahnitur dhe e dashuruar me magjinë që fal një foto e patrukuar bardhezi.

Top Channel