Paloka: Rama mbron të kërkuarin nga drejtësia

15/10/2016 00:00

Personat që nënkryetari demokrat, Edi Paloka tregoi me një video në një deklaratë për mediat janë tre deputetë të koalicionit qeveritar në Elbasan në një inspektim në fund të shtatorit dhe mes tyre Paloka identifikoi edhe kryetarin socialist të Peqinit, Edurim Teqja.

Ai është shpallur në kërkim në fillim të gushtit, si administrator i firmës menaxhuese të landfillit të Sharrës, ku gjeti vdekjen 17-vjeçari Ardit Gjoklaj. Sipas opozitës, ky është një rast sesi Edi Rama ka ndërtuar një shtet me dy standarde.

“Është Edi Rama që e ndalon ligjin të funksionojë për njeriun e tij, për kryetarin e tij në Peqin. Është Edi Rama që e ndalon ligjin të funksionojë për partnerin në biznes të Erjon Veliajt. Është Edi Rama që ka ndërtuar këtë shtet kriminal që nuk është në krah të 17-vjeçarit të pafajshëm, që nuk është në krah të qytetarëve, por është në krah të shfrytëzuesve të të miturve, në krah të banditëve, në krah të oligarkëve të korruptuar, në krah të trafikantëve e vrasësve”, tha Paloka.

Edi Paloka nuk përmendi protestat, por la të kuptohet se ato po afrojnë.

“Është në dorën e shqiptarëve ta lejojnë këtë padrejtësi mbytëse, apo ta ndalin. Koha nuk pret më. Pika e vlimit po afron”, shtoi ai.

Top Channel