Australi, pranga polakëve me 1.2 tonë ekstazi

15/10/2016 00:00

Policia Federale Australiane vuri në pranga dy shtetas polakë për kapjen rekord të 1.2 tonëve të drogës MDMA, apo ekstazi, në formë kristalesh.

Lënda narkotike u gjet gjatë bastisjes së një magazine në veri të Sidneit. Ajo ishte fshehur brenda letrave të aluminit, të importuara nga Republika Çeke.

“Kjo është sasia më e madhe e drogës së kapur në Australi sivjet dhe e katërta ngarkesë më e madhe e ekstazisë e bllokuar në këtë vend deri më sot. Dy polakët e akuzuar për trafikimin e saj, të moshave 28 dhe 29 vjeç, rrezikojnë një dënim të rëndë. Maksimumi që mund të jepet për të tilla akuza është burgimi i përjetshëm. Ajo që ne dimë është se lëndët narkotike vinin nga Europa, e sidomos nga Republika Çeke”, deklaroi Michael Keenan, ministër i Drejtësisë së Australisë.

Sasia e sekuestruar e MDMA-së ishte e barazvlefshme me 4.1 milionë tableta ekstasi, të cilat në rrugë do të shiteshin për 145 millionë dollarë.

Top Channel