Siria, SHBA-Rusi u rikthehen negociatave për armëpushim

15/10/2016 00:00

Bisedime të reja pritet të nisin në Zvicër mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në përpjekje për të arritur një armëpushim të ri në Siri.

Sekretari i Shtetit, John Kerry dhe homologu rus Sergei Lavrov aktualisht ndodhen në Lozanë, ku po zhvillojnë një takim me delegatë nga Turqia, Arabia Saudite, Irani dhe Katari.

Që nga rënia e armëpushimit afatshkurtër në shtator, Siria dhe aleatja e saj Rusia kanë rinisur bombardimet në qytetin e kontrolluar nga rebelët, Alepo.

Grupet e bamirësisë kanë bërë vazhdimisht thirrje për një armëpushim 72-orësh për të mundësuar shpërndarjen e ndihmave, por zyrtarët kanë hedhur poshtë çdo kërkesë.

Ditën e premte agjencitë ruse të lajmeve cituan sekretarin Kerry të thoshte se nuk kishte ndonjë pritshmëri të madhe nga bisedimet. Nga ana tjetër, presidenti sirian Bashar al Assad është zotuar se do të vazhdojë “spastrimet” e qytetit të Alepos nga rebelët.

Ai deklaroi për një nga agjencitë ruse se, “fitorja në Alepo do të jetë një trampolinë për të çliruar të gjitha pjesët e tjera të vendit nga terroristët”.

Ndërkohë, mbi 370 persona kanë mbetur të vrarë nga bombardimet në qytetin lindor, sipas Observatorit Sirian të të Drejtave të Njeriut, me bazë në Londër.

Shoqata deklaron se një numër i madh civilësh kanë vdekur gjithashtu nga sulmet e rebelëve në zonat e Alepos të kontrolluara nga trupat qeveritare.

Top Channel