Sllovaki, shkatërrohet banda e trafikut të refugjatëve

15/10/2016 00:00

Policia sllovake në bashkëpunim me atë hungareze ka shkatërruar një bandë trafikantësh të qënieve njerëzore pas gjetjes së disa emigrantëve të fshehur në rezervuarin e karburantit të një kamioni.

Destinacioni i mjetit ishte Europa perëndimore. Metoda në fjalë ishte përdorur prej kohësh nga 5 sllovakët e përfunduar në pranga.

Ata kishin arritur të dërgonin në këtë mënyrë vitin e kaluar 300 klandestinë nga Hungaria kryesisht drejt Gjermanisë dhe Italisë. Të ndaluarit rrezikojnë deri në 10 vite burg.

Emigrantët nga Siria, Pakistani dhe Afganistani vendoseshin në rezervuaret e modifikuara enkas të kamionëve që jepeshin me qira nga kompani sllovake dhe çeke.

Për këtë rrugëtim, secili prej tyre duhet të paguante 500 deri në 1.000 euro. Policia hungareze publikoi pamje të një emigranti që dilte nga hapësira e ngushtë poshtë kamionit.

Top Channel