Fëmijët e “xhunglës”, së shpejti në Britani

15/10/2016 00:00

Autoritetet britanike dhe ato franceze kanë nisur regjistrimin e fëmijëve të pashoqëruar që ndodhen në kampin e refugjatëve në Kale, i njohur ndryshe si “Xhungla”.

Një numër i madh fëmijësh refugjatë pritet të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar nga kampi brenda pak ditësh, me qëllim mundësinë e bashkimit me prindërit e tyre.

Një zyrtar anglez ka thënë më herët se numri i të miturve mund të jetë 300, nga vende si Siria dhe Afganistani. Qeveria franceze nga ana e saj njoftoi në fillim të muajit se do ta mbyllë kampin brenda këtij viti.

Kampi ndodhet në afërsi të portit të Kalesë dhe 31 milje larg kanalit të Lamanshit. Në të vlerësohet se jetojnë reth 10 mijë persona.

Presidenti Francois Hollande ka në plan t’i lëvizë banorët në qendra pritjeje nëpër gjithë Francën dhe ta shkatërrojë strukturën.

Ndërkohë, grupet e ndihmës së shpejtë kanë ngritur shqetësimin se mbyllja mund të çojë në zhdukjen e fëmijëve.

Top Channel