Krimet e Rënda lënë në burg “ushtarët” e Shullazit

15/10/2016 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda, në seancën e mbajtur këtë të shtunë, ka lënë në arrest me burg shtetasit Endrit Zela dhe Endrit Qyqja.

Ndaj këtyre dy personave rëndojnë akuzat e grupit kriminal dhe veprat të kryera në kuadër të këtij grupi, si edhe gjobëvënia në dy raste në dëm të një biznesmeni në kryeqytet.

Në të dyja episodet, Zela ka marrë gjatë vitit 2014 nga 25 mijë euro. Prokuroria dyshon se ngjarjet kanë ndodhur në  kohën kur ishte i lirë Emiliano Shullazi. Duke i folur në emër të Shullazit dhe Gilmando Danit, i riu ia ka kërkuar shumën biznesmenit përmes dhunës dhe kanosjes, ndërkohë që i dëmtuari ka firmosur dy çeqe në emër të tij.

I dyshuari tjetër, Endrit Qyqja ka përfituar nga i njëjti biznesmen 16 mijë euro që sërish janë paguar me çek. Të rinjtë u arrestuan pas një vendimi gjykate pranë paraburgimit 313, ku mbahet Emiliano Shullazi, i dyshuar prej muajsh së bashku me shokun e tij se janë pjesë e një grupi kriminal.

Top Channel