Chelsea-Leicester, ja pse futbollistët do të mbajnë shiritat e zinj

15/10/2016 00:00

Chelsea-Leicester do të jetë ndeshja që do të hapë siparin e javës së tetë në kampionatin anglez. Conte dhe Ranieri, dy takticienë italianë, kërkojnë fitoren për të dëshmuar se kriza i përket së shkuarës.

Sidoqoftë, në ndeshjen që do të luhet sot (e shtunë) në “Stamford Bridge” të Londrës lojtarët do të mbajnë shiritat e zinj. Është normale që lojtarët të nderojnë dikë që sapo ka ndërruar jetë, por lojtarët e Chelseat dhe Leicesterit do të nderojnë dy persona të ndryshëm.

Lojtarët e Antonio Contes do të nderojnë të ëmën e brazilianit Willian, e cila ndërroi jetë pas dy vite e gjysmë luftë me kancerin. Futbollisti nuk do të luajë në këtë sfidë, por shokët e skuadrës do të dëshmojnë që janë me të në këto momente të vështira.

Ndërsa, futbollistët e Leciester do të nderojnë Mbretin e Tajlandës, Bhumibol Adulyadej, i cili ndërroi jetë para dy ditësh në Bangkok. Familja që drejton skuadrën kampione është me origjinë nga Tajlanda, prandaj kjo po bëhet për të respektuar pikërisht presidentin e skuadrës.

Leicester ka mbajtur një minutë heshtje edhe në seancën e fundit stërvitore përpara se të udhëtonin për në Londër për sfidën ndaj “bluve”.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel