Pse Bob Dylan nuk duhej ta fitonte Nobelin e Letërsisë

14/10/2016 00:00

Bob Dylan nuk e meritonte Çmimin Nobel në Letërsi. Kështu nis një analizë e “New York Times”, sipas së cilës, Bob Dylan meriton të gjitha çmimet “Grammy” që ka fituar përgjatë karrierës së tij, përfshi edhe çmimin për arritjet jetësore, të cilin e rrëmbeu në vitin 1991.

Ai padyshim që i përket Hollit të Famës sa i përket “Rock&Roll”-it, pjesë e të cilit është bërë në vitin 1988 së bashku me “Supremes”, “Beatles” dhe “Beach Boys”. Ai është një muzikant i mrekullueshëm, një kompozitor i klasit botëror dhe një figurë me ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën amerikane.

Megjithatë, duke ia dedikuar çmimin atij, Komiteti suedez i Nobelit duket se ka zgjedhur të mos vlerësojë një shkrimtar, – thuhet më tej në analizë, – e kjo është një zgjedhje që lë për të dëshiruar.

“Po, Dylan është një tekstshkrues i shkëlqyer. Po, ai ka shkruar një libër me proza poetike dhe një autobiografi. Po, është gjithashtu e mundshme që t’i analizosh tekstet e tij nga ana poetike, – vijohet më tej. – Por, shkrimet e Dylan janë të pandashme nga muzika e tij. Ai është i madh, pikërisht sepse është një muzikant i madh. Ndaj dhe, kur komiteti i Nobelit ia jep çmimin e Letërsisë një muzikanti, atëherë humbet mundësia që të nderohet një shkrimtar”.

Duke qenë se të lexuarit po pëson rënie drastike anembanë botës, çmimi i Letërsisë duket se bëhet më i rëndësishëm se kurrë më parë. Një çmim i tillë për një shkrimtar do të thotë një rritje të jashtëzakonshme të shitjeve dhe lexueshmërisë, edhe nëse ai mund të jetë një shkrimtar tepër i njohur. Por më shumë sesa kaq, t’ia japësh Nobelin e Letërsisë një novelisti apo një poeti është njëfarë mënyre, afirmim i asaj që letërsia artistike dhe poezia kanë ende vlerë. Dhe se përpjekjet e rëndësishme njerëzore ia vlejnë të njihen ndërkombëtarisht.

Edhe muzika popullore është një përpjekje e tij për t’u vlerësuar, por, në shumicën e rasteve, kjo muzikë i merr lëvdatat e merituara. Dhe, përveçse ndonjë çmimi shumë pak të njohur, askush nuk pret që vlerësimet më të rëndësishme në fushën e muzikës t’i shkojnë një shkrimtari. “Ne nuk do t’i shohim kurrë Zadie Smith apo Mary Gaitskill në Hollin e Famës së muzikës “Rock& Roll”.

Sipas “New York Times”, komiteti suedez sigurisht që nuk ka dashur të shpërfillë letërsinë artistike apo poezinë me zgjedhjen e bërë. Ndoshta, duke nderuar një ikonë muzikore, anëtarët e komitetit kanë dashur të sjellin prurje të reja në këtë çmim prestigjioz dhe ta bëjë atë të ndihet i rëndësishëm edhe për gjeneratën e të rinjve. “Por ka ende shumë mënyra që mund ta përmbushnin këtë synim, duke vlerësuar sërish një shkrimtar”, thuhet në vazhdim. “Ata mund të kishin zgjedhur një shkrimtar, që ka sjellë risi të shumta në formë, si Jennifer Egan, Teju Cole apo Anne Carson. Ndoshta mund të kishin zgjedhur një shkrimtar nga vendet në zhvillim, të cilat mbeten mjerisht me përfaqësim të ulët mes laureatëve të Nobelit. Ndoshta mund të kishin zgjedhur një shkrimtar që ka krijuar fillimisht një audiencë “online”, si Warsan Shire, që u bë e poetja e parë e re në Londër gjatë vitit 2014”.

Megjithatë, komiteti zgjodhi t’ia jepte çmimin një njeriu i cili është i famshëm ndërkombëtarisht në një tjetër fushë. Një fushë me një sërë çmimesh të llojit të vet, thuhet në analizë. Ndaj dhe, Bob Dylan nuk kishte nevojë për një Çmim Nobel në Letërsi, por Letërsia vet ka nevojë për një Çmim Nobel. Kështu që, këtë vit, duket se nuk e mori një të tillë.

Top Channel