Siria, Assad: Aleppo, pedana për të fituar luftën

14/10/2016 00:00

Në një intervistë për një gazetë ruse, presidenti sirian Bashar al-Assad është shprehur se fitorja në Aleppo do të përbënte “pedanën” për të rimarrë kontrollin e plotë të të gjithë vendit nga forcat e tij besnike. Sipas tij, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër veçse “pastrimi i kësaj zone” dhe largimi i rebelëve drejt Turqisë.

Siria dhe aleati i saj më i madh, Rusia, kanë përshkallëzuar bombardimet mbi periferinë lindore të kontrolluar nga rebelët në qytetin e Aleppos, gjatë javëve të fundit.

Vetëm në rastin e fundit, një sulm me bombë pranë kufirit siriano-turk ka lënë disa persona të vdekur. Konkretisht bëhet fjalë për 17 viktima, kryesisht rebelë nga Ushtria e Lirë Siriane (FSA), të cilët u vranë nga shpërthimi i një autobombe në një pikë kontrolli të ngritur nga rebelët në Azaz, në veri të Aleppos, siç bëjnë të ditur aktivistë dhe monitorues ndërkombëtarë të luftës civile.

Ende asnjë grup nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi.

Më herët gjatë këtij muaji, i ashtuquajturi Shtet Islamik la të paktën 29 të vdekur, shumica e të cilëve luftëtarë islamikë rebelë, në një shpërthim me bombë në kryqëzimin Atmeh të kontrolluar prej tyre, në provincën e Idlibit.

Azazi shtrihet mes territorit të kontrolluar prej forcave kurdo-siriane në perëndim dhe Shtetit Islamik në lindje.

Në intervistën e tij të gjatë me “Komsomolskaya Pravda”, presidenti Assad tha se marrja e Aleppos do ta ndihmonte atë të fitonte luftën civile. “Sigurisht që do të jetë pedana, duke qenë një qytet i madh, për të lëvizur më pas në zona të tjera, për t’i çliruar ato nga terroristët”, tha ai, duke iu referuar me termin “terrorist” kryengritësve ndaj regjimit të tij. “Duhet medoemos ta pastrojmë atë zonë, për t’i kthyer terroristët mbrapsht në Turqi. Ose t’i kthejmë ata andej nga kanë ardhur, ose t’i vrasim ata. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër”, deklaroi ai.

Turqia është një prej mbështetësve kyç të grupeve rebele, së bashku me fuqitë perëndimore dhe shtetet e Gjirit Arabik. Në gusht, forcat turke kaluan kufirin duke hyrë në Siri, në një operacion që synonte zmbrapsjen e luftëtarëve kurdë dhe militantëve të Shtetit Islamik nga kufiri i saj.

Assad e quajti atë lëvizje të Turqisë si një “pushtim kundër ligjeve ndërkombëtare, kundër moralit dhe kundër sovranitetit të Sirisë”. Ndërkohë, në përpjekjet e fundit diplomatike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia pritet të rifillojnë bisedimet gjatë kësaj fundjave, në përpjekje për të zgjidhur konfliktin afro 6-vjeçar.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pritet të takohen me homologët e tyre nga Turqia, Arabia Saudite dhe Katari në Lozanë të Zvicrës, pikërisht ditën e shtunë. Kerry pritet të zhvillojë gjithashtu bisedime në Londër gjatë së dielës, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë. Kjo përpjekje vjen thuajse dy javë pasi SHBA-të pezulluan dialogun me Rusinë mbi luftën në Siri, pas një përshkallëzimi të ndjeshëm të sulmeve ajrore mbi Aleppo. Qyteti rezulton i ndarë mes qeverisë dhe rebelëve që prej vitit 2012.

Top Channel