Qyteti portual që ka humbur ujin

14/10/2016 00:00

Më veri të Republikës autonome të Karakalpakstanit, në Uzbekistan, ekziston një pamje me të vërtetë e çuditshme. Pikërisht këtu, të rrethuara nga rëra, anijet e peshkimit gjenden të bllokuara në shkretëtirën përvëluese, më shumë se 100 km nga deti.

Qyteti fantazmë. “Moynaq” ka qenë dikur një komunitet i njohur që merrej me peshkim në kufijtë jugorë të detit Aral. Por, tashmë që uji është zhdukur, gjithçka mbetet është një qytet i shkretë fantazmë, që duket se shtrihet shumë larg pjesës tjetër të botës.

Një burim më pak jetese. Deti Aral ka qenë dikur liqeni i katërt më i madh i kripur në botë, me një sipërfaqe prej 68 mijë km katrorë, duke u shtrirë nga Kazakistani në veri e deri në Uzbekistan në jug. Por në vitet ’60, kur sundimtarët sovjetik devijuan rrjedhën e dy lumenjve që e furnizonin atë, në mënyrë që të zhvillonin prodhimin e pambukut në rajon, ujërat nisën të tërhiqeshin deri në zhduke. Nivelet e kripshmërisë ranë gjithashtu në norma drastike, duke ngordhur shumicën e peshqve që kishin mbetur. Përgjatë 50 viteve të tjera, fatkeqësitë natyrore shkaktuan atë që Arali i famshëm dikur të përfundonte me vetëm 10 për qind të sipërfaqes fillestare.

Në pritje të ujit. Peshkatarët e komunitetit Moynaq nisën fillimisht të ndiqnin rrjedhën e ujit, me besimin se gjithçka do të rikthehej së shpejti në normalitet. Por, teksa vitet kalonin, u bë gjithnjë e më e qartë se uji nuk do të rikthehej më. Përreth shkretëtirës së Moynaqit kanë mbetur vetëm 18 mijë banorë, më shumë se 100 mijë të tjerë janë larguar, shumica e të cilëve në drejtim të Rusisë dhe Kazakistanit, në kërkim të punës.

“Nuk ka mbetur më asgjë për të bërë këtu. Nëse je i ri, je ende në kohë për t’u larguar. Ironikisht, shumica e njerëzve që jetojnë ende në këtë hapësirë, punojnë aq shumë dhe paguhen aq pak në industrinë e pambukut, ndërkohë që është pikërisht kjo industri që e shkaktoi këtë tragjedi”, thotë Mirbek, një banor 24-vjeçar.

Një qytet i boshatisur. Sot, qyteti i fjetur i Moynaqit është i populluar nga barinj bagëtish, nga punonjës pambuku dhe të moshuar që kujdesen për nipërit apo mbesat e tyre, prindërit e të cilëve largohen në vende të tjera në kërkim të punës.

Trashëgimia e zgjatur. Ata që kanë mbetur në këtë shkretëtirë përballen me një sërë problemesh shëndetësore. Pesticidet toksike dhe fertilizuesit e përdorur në prodhimin e pambukut kanë ndotur së tepërmi shtratin e detit të tharë tashmë, duke rezultuar kështu në shkaktimin e sëmundjeve kronike, si kanceri, difekte në lindshmëri dhe çrregullime në rrugët e frymëmarrjes apo imunitetit. Norma e kancerit në ezofag në këtë zonë është 25 herë më e lartë sesa mesatarja botërore.

Toka e ekstremiteteve. Moti ka ndryshuar gjithashtu përgjatë dekadave të fundit. Përpara se uji të niste tërheqjen e tij, deti bënte balancimin e klimës së kësaj zone duke reduktuar temperaturat e larta dhe duke zbutur erërat e forta siberiane. Banorët e Moynaqit tashmë durojnë një verë tepër të nxehtë, me temperatura deri në 50 gradë Celsius, si dhe dimrin ekstremisht të ftohtë, me temperatura deri në -40 gradë Celsius.

Një e ardhme më pjellore. Edhe pse jeta ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme në Moynaq, ende ka gjurmë shprese në horizont. Në vitin 2003, Kazakistani me ndihmën e Bankës Botërore nisi projektin e restaurimit të pjesës veriore të detit të Aralit, për të rikthyer kështu ujin në seksionin verior të liqenit. Sot, edhe peshkimi është i mundshëm atje, edhe pse në një shkallë shumë më të ulët sesa dikur, ndërsa ka edhe shenja të reja jete në shtratin e detit. Me shpresën te Zoti, banorët shprehen se një ditë kjo nismë mund të shtrihet edhe në Uzbekistan, ndaj dhe varkat e peshkimit të mund të rikthehen sërish të lundrojnë përreth Moynaqit.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel