Bojkoti i Kosovës, Rama: Duhet dialog. Të mos pengojmë procesin

14/10/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka asnjë mësim për të dhënë dhe asnjë këshillë të pakërkuar për askënd, aq më pak kur bëhet fjalë për lidershipin në Kosovë.

I pyetur për bojkotin e zyrtarëve nga Kosova në Samitin e Beogradit, Rama ka deklaruar se dialogu me Prishtinën nuk është as i parealizueshëm e aq më pak i anashkalueshëm, por një proces që në radhë të parë i takon lidershipit të shqiptarëve të Kosovës.

“Unë thjesht them se duke qënë fitimtarët e luftës dhe duke pasur avantazhin e madh moral të fitimtarit, ne jemi ata të cilët jo vetëm nuk duhet t’i shmangemi asnjë mundësie për të komunikuar, por duhet të krijojmë sa më shumë mundësi për të komunikuar, sepse nuk kemi asgjë për të ulur kokën. Ndërkohë që kur nuk komunikojmë, jo vetëm që nuk sillemi si fitimtarë, por krijojmë hapësira për të kundërtën e asaj që mendojmë. Pengojmë një proces që në radhë të parë na intereson neve, pengojmë atë që duhet ta shohim si një proces që është për njerëzit tanë”, ka thënë Rama.

Rama ka shtuar se ky nuk është një proces që politika të mund ta marrë, ta mbyllë në sallën e Parlamentit e ta kthejë në arenë për t’u kacafytur se kush e do më shumë Kosovën, kush e do më shumë Shqipërinë, kush e do më shumë flamurin. Pjesëmarrja e Kosovës në samitin e Beogradit ishte dakordësuar, por debatet për Trepçën bënë që të vendosej bojkoti.

Top Channel