Izraeli reagon ndaj rezolutës së UNESCO-s për vendet e shenjta. Ndërpret bashkëpunimin

14/10/2016 00:00

Izraeli proteston kundër një rezolute të miratuar nga UNESCO, e cila sipas Tel  Avivit nuk njeh lidhjet historike të hebrenjve me Malin e Tempullit. Qeveria izraelite ngriu çdo bashkëpunim me Agjencinë për Kulturën të Kombeve të Bashkuara, duke denoncuar tekstin, ku vendet e shenjta të judaizmit, krishtërimit dhe myslimanizmit citohen vetëm me emërtimin islamike.

“Të deklarosh se Izraeli s’ka lidhje me Malin e Tempullit dhe Murin Perëndimor është njësoj si të thuash që Kina nuk ka lidhje me Murin e Madh, apo Egjipti me piramidat. Me këtë rezolutë absurde, UNESCO ka humbur legjitimitetin, por unë besoj se e vërteta historike është më e fortë dhe do të triumfojë”, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

“Izraeli pretendon se, në këtë vendim, palestinezët dhe grupi arab mohojnë rëndësinë historike, që qyteti i vjetër i Jeruzalemit ka për popullin hebre. Por nëse e lexoni paragrafin e tretë, do ta shikoni se që aty nis njohja e rëndësisë historike për të 3 besimet monoteiste”, tha Mounir Anastas, delegati palestinez në UNESCO.

Rezolutën e paraqitur nga 7 vende arabe, Tel Avivi e sheh si një tekst që inkurajon terrorizmin.

Teksti denoncon përdorimin e forcës, kufizimet për besimtarët myslimanë, punimet arkeologjike nga ana e Izraelit në Malin e Tempullit apo kompleksin “Al Aksa”, siç njihet nga myslimanët. Rezoluta u miratua me 24 vota pro dhe 6 kundër – nga SHBA, Britania, Gjermania, Holanda, Lituania dhe Estonia, – ndërsa 26 shtete abstenuan.

Edhe shefja e UNESCO-s e kritikoi rezolutën, ku përdoren vetëm emërtimet myslimane për vendet e shenjta, që janë të tilla si për hebrenjtë, të krishterët  dhe myslimanët, duke thënë se njerëz të ndryshëm adhurojnë të njëjtat vende, shpesh nën emra të ndryshëm, ndaj këto emërtime duhen respektuar.

Top Channel