Donis Avdijaj, aksident pa pasoja

14/10/2016 00:00

Sulmuesi shqiptar Donis Avdijaj ka pushtuar faqet e para të gazetave gjermane pas një aksidenti me makinë që fatmirësisht ishte pa pasoja të rënda për futbollistin dhe personat e tjerë të përfshirë. Talenti që ka përfaqësuar të gjitha kombëtaret e moshave të Gjermanisë, por ka bërë të ditur se dëshiron të luajë me ngjyrat kuqezi, inatosi skuadrën e tij dhe trajnerin.

20-vjeçari udhëtonte tej shpejtësisë së lejuar në një rrugë pranë qytetit të Oznabryk, duke humbur kontrollin e makinës së tij të kushtueshme dhe duke dëmtuar të paktën 4 makina të tjera. Mjeti i Donis Avdijaj, një Mercedes Benz GLE 350D, thuajse aksidentoi për vdekje edhe një kalimtar, para se të shkatërrohej.

Në raportin e policisë gjermane thuhet se futbollisti shqiptar shkeli semaforin dhe një korsi biçikletash, por mes rreshtave nënvizohet se nuk ishte në influencën e alkoolit apo substancave narkotike. Donis Avdijaj u huazua sezonin e kaluar te Sturm Graz në kampionatin austriak, dhe tani është rikthyer sërish në radhët e Schalke-s, në Bundesliga-n gjermane.

Top Channel