Rusi, përurohet monumenti i parë i Carit “Ivani i tmerrshëm”

14/10/2016 00:00

Pavarësisht protestave të banorëve lokalë dhe beteja ligjore nëpër gjykata, qyteti rus i Orelit (Oryol) ka zbuluar këtë të premte monumentin e parë të Carit të njohur si “Ivani i tmerrshëm”.

Në ceremoninë e së premtes, teksa përuronte statujën e Ivanit mbi kalë, duke mbajtur një shpatë dhe një kryq, guvernatori i rajonit e krahasoi carin brutal me presidentin aktual rus, Vladimir Putin.

Vadim Potomsky tha se “ne kemi pasur dhe kemi presidentë të fuqishëm, të cilët kanë detyruar të gjithë botën të respektojnë dhe t’i nënshtrohen Rusisë, siç ka bërë edhe Ivani i tmerrshëm në epokën e tij”. Ai foli nga qyteti i Orelit vetëm 350 km në jug të Moskës.

Ivani, i cili ka sunduar gjatë viteve 1547-1584, njihet si përgjegjësi i ngjarjeve të dhunshme, mes të cilave edhe masakra e Novgorodit, ku mbetën të vdekur me mijëra njerëz, ndërkohë që besohet se ka vrarë edhe të birin e tij. Ai ka kryer shtypje masive me anë të “Oprichnina”-s, policisë sekrete ruse të themeluar prej vet atij.

Kjo është edhe statuja e parë në histori që shfaqet publikisht e carit të shekullit të XVI. Ajo është dënuar nga disa fraksione të politikës ruse, përfshi edhe zyrtarët qeveritarë në Moskë, por edhe nga politikanë opozitarë dhe gazetarët.

Përurimi i tij më 14 tetor shënon edhe 450-vjetorin e qytetit jugperëndimor rus, i cili u ngrit si një fortesë nga vet Ivani i tmerrshëm më 5 shtator të vitit 1566. Kjo ngjarje vjen gjithashtu edhe një ditë pas 464-vjetorit të rënies së Kazanit, kryeqytetit të atëhershëm të Kazan Khanate, i cili në ditët e sotme është kryeqytet i rajonit të Tatarstanit.

Historianët tatarë thonë se mbrojtësit e Kazanit dhe banorët u torturuan brutalisht, e më pas u vranë nga forcat e Ivanit të tmerrshëm, teksa morën në duart e tyre qytetin më 13 tetor 1552, pas një rrethimi 42-ditor.

Top Channel