NASA, 10 herë më shumë galaktrika në univers

14/10/2016 00:00

Mesa duket jemi gabuar, pasi në univers nuk janë 200 miliardë galaktika, por rreth dy trilionë. Këto janë lajmet e fundit nga NASA, e cila konfirmoi se numri i galatikave në universin e vëzhgueshëm është 10 herë më i lartë sesa mendohej.

Ky përfundim u bë i mundur falë burimit të zbulimeve, teleskopi hapësinor “Hubble”. Prej dekadash, astronomët përpiqen të gjejnë numrin e galaktikave në univers dhe, në mes të viteve ’90, po falë teleskopit “Hubble” arritën në shifrën prej 200 miliardë.

Por së fundmi, një ekip nga Universiteti i Nottinghamit në Mbretërinë e Bashkuar, i udhëhequr nga Christopher Conselice, vendosi që ta provonte sërish. Studimi i tyre thotë se, shumë kohë më parë, shumica e galaktikave ishin të ngjeshura bashkë. Disa prej tyre që ishin më të zbehta apo më të vogla u përpinë nga ato më të mëdha, e kështu dendësia e popullsisë së galaktikave u zvogëlua.

Ekipi i studiuesve shqyrtoi foto të vjetra të “Hubble” dhe ato të reja. Pastaj, duke përdorur modele matematikore llogaritën sesa galaktika nuk shihen dot nga teleskopët aktualë. Përfundimi është marramendës, pasi ne nuk shohim dot 90% të galaktikave edhe me teleskopët më të fuqishëm, pasi ato janë shumë larg, ose shumë të zbehta.

Gjithsesi lajmet e mira nuk mungojnë, pasi po ndërtohen teleskopë edhe më të fuqishëm. Në fund të këtij viti përfundon ndërtimi i teleskopit “James Webb” dhe pritet që ai të shohë deri në agim të kohërave.

Top Channel