Itali-Shqipëri, De Biasi preferon stadiumin “Renato Dall’Ara”

14/10/2016 00:00

Data 24 mars kur Shqipëria do të udhëtojë për në Itali ku do të ndeshet me 4 herë kampionët e botës është larg, por që tani mediat italiane kanë filluar të shkruajnë për këtë sfidë, ku sigurisht De Biasi e bën speciale për ta.

Trajneri i kombëtares sonë të futbollit ka dhënë së fundmi një intervistë për gazetën italiane “Tuttosport”, ku mes të tjerash zbuloi edhe preferencat e tij për qytetin e mundshëm ku mund të luhet ky takim.

“Do të më pëlqente të luaja në Veri të Italisë. Ndoshta në Torino, ku vetëm pak ditë më parë u zhvillua ndeshja me Spanjën, apo ndoshta edhe në Verona. Për mua do të ishin ideale edhe qytete si Udine dhe Bolonja, ndërsa do të shkoja me dëshirë te kjo e fundit, nëse do të më duhej të zgjidhja”, deklaroi De Biasi.

Për gazetën torineze, De Biasi nuk hezitoi të japë edhe një koment për mbrojtësin Arlind Ajeti, pjesë e Torinos dhe një prej shtyllave tashmë të mbrojtjes kuqezi. Ai u shpreh i lumtur për rikuperimin e plotë të 23 vjeçarit, ndërsa shtoi i bindur se nuk do ta zhgënjejë pritshmëritë në vazhdim.

Top Channel