Keni planifikuar të udhëtoni në Tajlandë?

14/10/2016 00:00

Pas vdekjes së Mbretit të Tajlandës, Bhumibol Adulyadej, monarkut më jetëgjatë në botë në moshën 88-vjeçare, Pallati Mbretëror njoftoi ditën e enjte se vendi do të mbajë një vit zi kombëtare.

Por çfarë nënkupton kjo për turistët që ndodhen aktualisht në vend dhe për ata që planifikojnë të shkojnë gjatë muajve në vijim?

Veç zisë njëvjeçare, kryeministri tajlandez njoftoi gjithashtu se edhe ngjarjet argëtuese duhen ndalur për të paktën një muaj. Për këtë, Ministria e Jashtme britanike ka lëshuar një alarm këshillues shtetasve të saj mbi mënyrën sesi duhet të sillen në Tajlandë.

“Ju duhet të respektoni ndjenjat e popullit tajlandez në këtë periudhë. Qasja nëpër mjedise argëtuese, përfshi restorante, lokale apo dyqane mund të jetë e kufizuar, ndaj dhe ju duhet të silleni me respektin maksimal ndaj tyre kur gjendeni në vende publike. Nëse do të jetë e mundur, vishni rroba të errëta në respekt të zisë së tyre kombëtare. Kontrolloni rregullisht mediat lokale dhe ndiqni këshillat e autoriteteve lokale”, shkruhet në deklaratën e “Foreign Office”.

Monarku, i cili konsiderohej si të ishte një Zot nga populli i tij, ka shkaktuar një atmosferë tejet të zymtë anembanë Tajlandës për këtë humbje të madhe, teksa miq e familjarë mblidhen së bashku për të mbajtur zi e për t’u lutur për mbretin e tyre tashmë të larguar nga jeta.

Në Bangkok, ritmi i nxituar normalisht i rrugëve është zëvendësuar me shoferë që shpesh i sheh të lotojnë, ndërsa rojet e dyqaneve, tregjet, lokalet dhe restorantet kanë nisur një e nga një të ndërpresin aktivitetet e tyre.

Në një tjetër pikë të rëndësishme turistike të vendit, ekziston gjithashtu e njëjta situatë shoku. Një turiste britanike, Wendy Cramond, me pushime në Chiang Mai së bashku me familjen e saj, u shpreh se fillimisht ishte ndierë e shqetësuar për impaktin që do të kishte vdekja e mbretit tajlandez në planet e tyre të udhëtimit. “Hoteli aktualisht është duke funksionuar si zakonisht, ndërsa ende nuk kemi marrë ndonjë lajm për ndryshime të menjëhershme”, tha ajo. “Na vjen keq për popullin tajlandez, pasi duket qartë që mbreti ishte tejet i nderuar. Thjesht duhet të kryqëzojmë gishtat dhe të shpresojmë se do t’i shijojmë ditët e ardhshme të pushimeve tona, edhe pse sigurisht që na duhet të respektojmë zinë”.

“Reuters”, nga ana e tij, ka raportuar se kryeministri tajlandez ka urdhëruar trupat ushtarakë të dislokohen anembanë vendit për të rritur sigurinë kombëtare. Vëzhgues të situatës sugjerojnë se është mëse e arsyeshme që e premtja të sjellë një përshkallëzim të shfaqjes së emocioneve vajtuese në publik, si dhe të ketë mbyllje të mëtejshme të bizneseve, por edhe zyrave qeveritare. Mes ngjarjeve që priten të anulohen është edhe festa e famshme e hënës së plotë “Koh Phangan”, që pritej të organizohej më 17 tetor.

Gjithashtu, shitja dhe konsumi i alkoolit mund të ndalohet për një periudhë të shkurtër, siç ndodh edhe në rastet e festave fetare apo përkujtimet e ndryshme në Tajlandë. Gjithsesi, deri më tani nënkuptohet se qendrat e mëdha tregtare, vendet turistike dhe plazhet do të mbeten të hapura, edhe pse ndoshta përkohësisht.

Por çfarë duhet të bëjnë konkretisht turistët gjatë këtij viti në Tajlandë? Në shenjë respekti ata duhet të veshin veshje të zeza ose me ngjyra të errëta, që mbulojnë shpatullat dhe shkojnë deri poshtë gjurit. Gjithashtu sugjerohet që të mos futeni në bisedime politike apo të mos bëni komente tallëse ndaj familjes mbretërore në situatën aktuale. Kjo sepse ofendimi ndaj monarkisë është një shkelje penale në Tajlandë dhe dënohet me disa vite burgim, qofshin këta edhe turistë.

Top Channel