Francezët kërkojnë eshtrat e mbretit Charles X, që prehen në Slloveni

14/10/2016 00:00

Banori më i famshëm i Nova Goricës në Slloveni është mbreti i vdekur francez, Charles X. Por njerëzit e zonës tani druhen se mund ta humbasin këtë personazh të rëndësishëm për ta, prej lëvizjes që synon kthimin e eshtrave të tij në atdhe.

Muajin e kaluar, një grup historianësh francezë kërkuan që monarku, i varrosur në një manastir françeskan të qytetit slloven, të prehet në Francë.

Charles X është i vetmi mbret francez, varri i të cilit nuk ndodhet në vendin e lindjes. Sllovenia nuk ka reaguar zyrtarisht, por kryebashkiaku i Nova Goricës dhe banorët e zonës këmbëngulin që eshtrat të mbeten në Kostanjevica.

“Nga mediat e mësuam që ekziston një nismë e tillë, të cilën ne nuk e mbështesim kurrsesi. Mbreti është varrosur këtu prej gati 180 vitesh. Ai është pjesë e trashëgimisë sonë dhe prehja në këtë vend ka qenë dëshira e tij e fundit”, tha Matej Arcon, kryetar bashkie i Nova Goricës.

Charles X e kaloi pjesën e fundit të jetës duke jetuar nëpër qytetet anekënd Europës. Ne Gorizia, ai u zhvendos në 1836-n për t’i shpëtuar shpërthimit të epidemisë së kolerës në Pragë. Por vetëm pak ditë pas mbërritjes në qytetin e izoluar, asokohe pjesë e perandorisë austriake, u sëmur duke u kthye në viktimën e vetme të kolerës në zonë.

Nga shtrati i vdekjes, mbreti shihte manastirin që ngrihej mbi kodrën dhe shprehu dëshirën të varrosej atje. Në krah të tij prehet edhe i biri, bashkëshortja e këtij të fundit dhe dy nipër.

Top Channel