Putin po rivendos aleancat sovjetike

14/10/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara duket sikur po e humbasin luftën për influencë në Lindjen e Mesme me Rusinë. Pas Sirisë, Moska duket se po zgjeron bashkëpunimin dhe afrohet edhe më shumë me një aleat tradicional të Uashingtonit; Egjiptin.

Për herë të parë që nga koha e Sadatit dhe Mubarakut, ushtarë rusë do të shkelin në territorin egjiptian për një stërvitje të përbashkët ushtarake, që do të nisë agimin e së shtunës.

Stërvitja do të zhvillohet në shkretëtirën egjiptiane, pikërisht në zonën ku gjenerali Montgomery mposhti në Luftën e Dytë Botërore trupat naziste gjerman e ato italiane të udhëhequra nga gjenerali gjerman Romel, i quajtur ndryshe edhe si “Dhelpra e shkretëtirës”.

Zyrtarisht stërvitja thuhet se synon koordinimin dhe rritjen e aftësisë ushtarake egjiptiane për t’iu kundërpërgjigjur një kërcënimi terrorist që mund të vijë nga vendet fqinje, referuar këtu Libisë.

Por analistët ndërkombëtarë e interpretojnë këtë si një tjetër avancim i Moskës në betejën me Perëndimin për influencë në Lindjen e Mesme. Sipas tyre, Vladimir Putin po ringre aktualisht aleancat e vjetra sovjetike që nisin me Egjiptin, vazhdojnë me Sirinë dhe Turqinë, që është ftohur me Uashingtonin dhe ngrohur me Moskën pas përpjekjes për grusht shteti, e duke vijuar më pas në Europën Lindore, deri në Kaliningrad.

Top Channel