Veliaj në shkollën “Petro Nini”, fushë tenisi për nxënësit

14/10/2016 00:00

Sporti i tenisit është futur për herë të parë në shkollat e kryeqytetit dhe “Petro Nini Luarasi” do të ketë një të tillë pas rikonstruksionit të terreneve sportive. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka inspektuar përfundimin e punimeve, ku tha se nxënësit do të kenë undësi të zhvillohen edhe fizikisht.

“Për herë të parë po fusim sportin e tenisit, është një sport elitar, ku Shqipëria mund të ketë të ardhme, por për sa kohë s’ka infrastrukturë nuk kemi si e zbulojmë dhe më vjen mirë që përveç disa investimeve për fusha model të volejbollit, basketbollit, futbollit që janë sporte klasike, ne kemi krijuar edhe një hapësirë për tenisin”, tha Veliaj. Ai kujtoi se e gjithë zona përballë shkollës “Petro Nini Luarasi” ishte e shkatërruar, ndërsa tani jo vetëm që ka një infrastrukturë të re, por dhe ambiente moderne sportive në shkollë.

“Kemi kaluar nga një degjenerim urban, me trotuare të shqyer, gropa të hapura, kanale të zeza, ambulantë kudo, në një paraqitje shumë më dinjitoze të rrugës dhe aksit kryesor që lidh sheshin “Wilson” me digën e liqenit, përballë shkollës “Petro Nini Luarasi”, por më vjen mirë që sot në fakt, kemi rritur stekën e investimeve dhe dua të ftoj të gjithë banorët që ta trajtojnë këtë si një hapësirë edhe të tyren, jo vetëm të fëmijëve të tyre paradite, por edhe gjatë pasdites e orëve të vona të ditës, për t’u siguruar që i marrim maksimumin këtyre hapësirave”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tha se edhe pse Tirana ka pak hapësira, po bëhet gjithçka për shfrytëzimin maksimal të tyre në shërbim të komunitetit.

Top Channel