Basha: Rama kanabizoi Shqipërinë

14/10/2016 00:00

Në takimin me strukturat e Partisë Demokratike në Gramsh, kreu i opozitës e akuzoi Kryeministrin si arkitektin e kanabizimit të vendit, një akt që sipas Bashës, e ndërmori pas kriminalizimit të strukturave më të larta shtetërore.

“Edi Rama e ka ditur. E ka bashkëplanifikuar me kriminelët që ka vënë në çdo strukturë shtetërore, se kriminalizimi i shtetit do të çonte në kanabizimin e Shqipërisë. E ka ditur dhe prandaj se ka vënë ujin në zjarr sepse për të paratë dhe pushteti është gjithçka që kanë rëndësi. Sepse për të, punë e madhe se ka papunësi, punë e madhe se ka varfëri. Po pate varfëri eja skllav në fermën e drogës së Edi Ramës dhe Saimir Tahirit”, tha Basha.
 
Kreu i opozitës e trajtoi si një dështim qeverisjen trevjeçare të Edi Ramës.

“Investimet për bujqësinë janë në nivelin më të ulët në 20 vite sepse investimet në tërësi nuk shkojnë aty ku ka nevojë qytetari po aty ku Edi Rama mund t’i grabisë më kollaj. Kurrë më parë nuk kemi patur një qeveri të tillë plaçkitëse që i merr shumicës gjithçka për t’ia dhënë pakicës”, tha para demokratëve kreu i PD.

Lulzim Basha thotë se demokratët do të bëjnë gjithçka për të ndalur planin e Edi Ramës.

“Përmes krimit, korrupsionit dhe varfërimit të shqiptarëve mendon se e ka ulur dhe më tej çmimin e votës  dhe se me paret e korrupsionit dhe me kërcënimin e krimit do t’ia dalë të asgjësojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, u shpreh ai.

Top Channel