Akuzat ndaj Trump, biznesmeni: Janë të gjitha të rreme

14/10/2016 09:00

Donald Trump i mohoi akuzat për ngacmim seksual dhe para mbështetësve të tij në Florida tha se ato janë plotësisht të rreme. Kandidati republikan për presidencën tha se femrat që i bënë këto akuza ishin gjënjeshtare dhe po bëjnë reklamë, pasi mediat bashkëpunojnë me rivalen e tij Hillary Clinton.

Disa femra pretendojnë se Donald Trump i ka prekur në mënyrë të pahijshme, apo i ka puthur kundër vullnetit të tyre. Në shfaqjen e tij të parë publike që pas këtyre akuzave, Trump tha se këto histori ishin një komplot kundër popullit amerikan nga media dhe politika. Miliarderi njujorkez tha se ka prova që tregojnë se akuzat nuk kanë bazë, por shtoi se do t’i publikojë ato në kohën e duhur.

Trump kërcënoi se do ta padisë gazetën “New York Times”, e cila publikoi akuzat e dy femrave. Gazeta reagoi duke thënë se është e gatshme dhe e mirëpret mundësinë që të mbrojë çështjen e saj në gjyq. Në debatin e fundit me Clinton, Trump deklaroi se kurrë nuk kishte puthur apo prekur femrat pa lejen e tyre, ndërsa theksoi se i respekton ato. Por, femrat që e akuzuan për këtë thanë se ishte pikërisht mohimi që ai bëri gjatë debatit që i shtyu të dilnin publikisht, pavarësisht se shumë vite pas incidenteve të tyre me Trumpin, në njërin rast, më shumë se 3 dekada.

Javën e shkuar, publikimi i një videoje në të cilën Trump bënte komente ofenduese për femrat, shkaktoi mjaft debat që përfshiu ashpër fushatën e tij. Megjithëse turmat në mitingjet e tij duket sikur shtohen, dhjetëra republikanë deklaruan se nuk mund ta mbështesin më dhe Trump është mjaft mbrapa Clintonit në sondazhe kombëtare dhe në rang shtetesh.

Top Channel