Dosja e gjyqtares Majlinda Andrea, në gjykatë për “korrupsion pasiv”

13/10/2016 00:00

Prokuroria e Përgjithshme mbylli hetimet për gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, dhe e dërgoi atë për gjykim për akuzën e “korrupsionit pasiv”.

Së bashku me gjyqtaren do të gjykohet për të njëjtën vepër edhe bashkëshorti i saj, Odhisea Andrea, i cili vijon të jetë në kërkim nga policia.

Prokuroria e Përgjithshme do ta dorëzojë dosjen të premten në Gjykatën e Lartë. Në dosje janë gjithashtu edhe Ilia Çabiri, Eleni Lino dhe Petraq Dashi. Por, ndërsa gjyqtarja Andrea është e pezulluar nga detyra, aktualisht në gjendje të lirë ndodhet edhe 60-vjeçarja Lino, e cila ka rrëfyer sesi janë paguar lekët për të përfituar një verdikt gjyqësor për 40 hektarë truall në Butrint.

Ndërkohë që në burg mbahen Çabiri dhe Dashi. Nga hetimet rezulton se, për të përfituar një verdikt të favorshëm janë paguar te bashkëshorti i gjyqtares 50 mijë euro, ndërkohë që hetimi është zhvilluar së pari nga Krimet e Rënda dhe më pas është shpallur moskompetenca, pasi gjatë përgjimeve doli edhe emri i gjyqtares së lartë.

Top Channel