“Deti” me Greqinë, Bushati: Berisha gaboi! Pala e tretë, spekullim

13/10/2016 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e quajti spekullim deklaratën e ish-Kryeministri Sali Berisha këtë të enjte në Kuvend, ku foli se marrëveshja detare me Greqinë u anulua për interes të një pale të tretë.

I pyetur në Top Story për këtë çështje, ai akuzoi ish-Kryeministrin Berisha për atë që e quajti gabim trashanik në marrëveshjen e nënshkruar me grekët për kufirin detar.

“E përbuz qëndrimin e Berishës sepse së pari nuk njeh një gabim trashanik që ka bërë dhe së dyti fut në Parlamentin shqiptarë aktorë të tjerë, në një çështje që është mes nesh dhe Greqisë dhe duhet zgjidhur sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe vlerës europiane.

Por ai i referohet Berisha nje qëndrimi të kahershëm të politikës dhe medias greke? Top Channel risjell në kujtesë një intervistë të ish-ministeres së Jashtme greke, Dora Bakojanis dhënë në vitin 2011 për emisionin “Dosje të reja” në televizionin SKAI. Në atë kohë, Bakojanis shprehu në një farë mënyrë keqardhje për prishjen e asaj marrëveshje.

“Duhet të them se kjo marrëveshje ishte “State of the art”. Kishim arritur të plotësojmë të gjitha qëllimet e politikës së jashtme greke, por njëkohësisht të bëjmë edhe një punë ndërmarrëse që ishte tërësisht e nevojshme për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Atëherë kishte kundërshti nga Partia Socialiste që doli me argumentin se i mori të gjitha Greqia dhe se nuk duhet të ishte nënshkruar me të tilla politika”, thotë Bakojanis.

Por, pjesa më e fortë e intervistës së saj ishte momenti, kur ish-ministrja e Jashtme tregon se ishte e bindur se kjo marrëveshje do të ngacmonte shumë dhe palën turke.

“Nuk kisha asnjë dyshim, nuk kisha ndonjë vërtetim, por nuk kisha dyshime se kjo marrëveshje kishte ngacmuar edhe Turqinë. Më pas marrëveshja shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe aty u rrëzua”, thotë ajo.

Top Channel