Ligji i luftës, Bushati: S’kam informacion nga premtimi i Tsipras për Metën

13/10/2016 00:00

Top Channel ka mësuar se kryeministri Tsipras në takimin me Ilir Metën është shprehur i gatshëm të dërgojë tek Presidenti Pavllopulos një amendament, i cili do të shfuqizojë ligjin e luftës edhe formalisht. Burime thanë për Top Channel, se në këtë takim, është rënë dakort se aborgimi i ligjit të luftës është një domosdoshmëri, që do të çliroje energji pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha në Top Story se nuk ishte në dijeni të asaj që ishte biseduar mes Metës dhe Tsiprasit në Athinë për ligjin e luftës.

“Nuk më ka njoftuar njeri për këtë çështje. Nuk kam asnjë informacion dhe asnjë konfirmim, as nga ambasada që të vërtetoj këtë tezë. Megjithatë, zoti Meta e tha edhe sot në Kuvend që ishte në Greqi si kryetar i Kuvendit dhe jo për të negociuar”, deklaroi Bushati.

Bushati deklaroi se formalisht në Greqi është në fuqi një ligj lufte, që edhe vetë Athina e ka njohur përmes një letre dërguar Tiranës vite më parë, ndërsa tha se nuk ishte në dijeni të diskutimeve Meta-Tsipras për këtë çështje.

“Ligji i luftës nuk është një çështje e ezauruar as me traktatin e miqësisë në vitin 1995 dhe as me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO-s, por nuk është e vërtetë. Pala shqiptare i ka kërkuar qeverisë greke që të shprehet për këtë çështje dhe ka marrë një letër që konfirmon se dy vendet janë formalisht në luftë”, tha Bushati.

Kreu i diplomacisë shqiptare tha se ky ligj ka efekte të drejtpërdrejta mbi çështjet pronësore dhe një sërë efektesh të tjera zinxhir që lidhen me të.

Top Channel