“Deti”, Berisha në linjën e Bakojanis. Ish-ministrja përmendi Turqinë

13/10/2016 00:00

Ish-Kryeministri Sali Berisha, befasoi jo pak në Parlament, kur duke ju referuar dërgimit të marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë në Gjykatën Kushtetuese, artikuloi për herë të parë një tezë të padëgjuar, të paktën në Shqipëri.

“Po u them shqiptarëve një gjë, shpejt do të kuptoni se në interes të kujt vepruat dhe ju them këtu me bindjen më absolute se vepruat në interes të një pale të tretë. Historia do ta provojë këtë”, tha Berisha.

Por ai i referohet Berisha nje qëndrimi të kahershëm të politikës dhe medias greke? Top Channel risjell në kujtesë një intervistë të ish-ministeres së Jashtme greke, Dora Bakojanis dhënë në vitin 2011 për emisionin “Dosje të reja” në televizionin SKAI. Në atë kohë, Bakojanis shprehu në një farë mënyrë keqardhje për prishjen e asaj marrëveshje.

“Duhet të them se kjo marrëveshje ishte “State of the art”. Kishim arritur të plotësojmë të gjitha qëllimet e politikës së jashtme greke, por njëkohësisht të bëjmë edhe një punë ndërmarrëse që ishte tërësisht e nevojshme për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Atëherë kishte kundërshti nga Partia Socialiste që doli me argumentin se i mori të gjitha Greqia dhe se nuk duhet të ishte nënshkruar me të tilla politika”, thotë Bakojanis.

Por, pjesa më e fortë e intervistës së saj ishte momenti, kur ish-ministrja e Jashtme tregon se ishte e bindur se kjo marrëveshje do të ngacmonte shumë dhe palën turke.

“Nuk kisha asnjë dyshim, nuk kisha ndonjë vërtetim, por nuk kisha dyshime se kjo marrëveshje kishte ngacmuar edhe Turqinë. Më pas marrëveshja shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe aty u rrëzua”, thotë ajo.

Në këtë emision i pranishëm ishte dhe një prej gazetarëve më të njohur të shtetit fqinj, Stavros Lygeros, i cili lëshoi akuza të rënda, sipas të cilave Turqia kishte korruptuar anëtarët e gjykatës për të rrëzuar marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Bëhet e njohur dhe kur e di unë, domethënë që e dinin edhe shërbimet e Ministrisë së Jashtme, që turqit ndërhynë shumë ashpër, duke dhënë ryshfet edhe tek gjykatësit që krijoi një klimë që çoi aty ku çoi”, thotë ai.

Top Channel