Michelle Obama fshikullon republikanin Donald Trump

13/10/2016 00:00

Kur mendonim se i kishim dëgjuar të gjitha llojet e kritikave ndaj Trumpit, të vënë me shpatulla pas murit, shfaqet Zonja e Parë e Amerikës.

Michelle Obama godet republikanin edhe për mbrojtjen që i bëjnë mbështetesit e tij, kur thonë se ai nuk po kandidon për Papë.

Duke folur në një tubim të Hillari Clintonit në New Hampshire, Michelle Obama tha se këto komente nuk mund të mbeten thjesht shënime të një sezoni zgjedhjesh të trishta.

“Kjo nuk është thjesht një bisedë e ndyrë. Nuk ishin batuta të rëndomta burrash. Por ishte një individ i fuqishëm që flet lirshëm dhe hapur mbi sjelljen e tij seksuale prej grabitqari, me një gjuhë aq imorale saqë kishm frikë të hapnim televiziorin, se do të dëgjonin fëmijët. Madje, edhe më keq, tani është e qartë se nuk është një incident i izoluar. Nuk dihet i sati shembull është i mënyrës sesi ai i ka trajtuar gratë gjatë të gjithë jetës së tij. Unë ndihem keq dhe ju po ashtu. Komentet e turpshme mbi trupat tanë, mungesa e respektit për ambiciet dhe zgjuarsinë, besimi se mund t’i bësh çdo një gjë gruaje, janë  mizore”, tha Michelle Obama.

Zonja e Parë ka gozhduar në mënyrën më të qartë thelbin e debatit moral, që është ngritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa i përshtatshëm është për president, njeriu që ka pikëpamje të tilla për gratë. Por vet Trumpit, pasi kërkoi falje për deklaratat gjatë debatit, nga pretendimet e fundit për ngacmime seksuale i ka mbetur të mbrohet duke i cilësuar thjesht trillime.

Top Channel