Gjenevë, rezulton fals alarmi për bombë që evakuoi 115 pasagjerë

13/10/2016 00:00

“Fluturimi 2381” i kompanisë ruse “Aeroflot” që pritej të ngrihej mesditën e sotme nga Aeroporti i Gjenevës me destinacion Moskën, u desh të ndalej e të evakuohej për shkak se një person u paraqit në një nga sportelet e kompanisë dhe deklaroi se në avion ndodhej një bombë.

Ai u arrestua dhe u mor për disa orë në pyetje nga policia zvicerane, por më pas pranoi se kërcënimi ishte fals dhe se kishte bërë veçse një shaka.

Avioni, i cili do të nisej drejt Moskës dhe u ndal vetëm pak përpara orës 13 të mesditës, kishte 115 pasagjerë në bordin e tij. Personi që lëshoi alarmin deklaroi për policinë se ishte i kombësisë ruse.

Menjëherë pas alarmit për bombë, të gjithë pasagjerët dhe bagazhet e tyre u shkarkuan nga avioni, e më pas atyre iu kërkua të identifikonin valixhet e tyre. Një ekip i çaktivizimit të bombave nga policia e Gjenevës shkoi menjëherë në vendngjare për të kontrolluar nëse kishte apo jo ndonjë mjet shpërthyes në avion.

“Aeroflot” njoftoi përmes një deklarate se, pasagjerët ishin transferuar në një tjetër avion dhe me anë të tij vijuan udhëtimin për në Moskë.

Top Channel