Kosovë, Veseli paralajmëron ndryshime në qeveri

13/10/2016 00:00

Udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës, e njëherazi kryeparlamentar, Kadri Veseli ka thënë se partia e tij është në proces të ndërrimit të gjysmës së ministrave të saj në Qeverinë e Kosovës.

Duke lënë të kuptohet se pret që ndërrimin e ministrave të saj ta bëjë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Veseli ka thënë se partneri i PDK-së në koalicionin qeverisës e ka përgjegjësinë e vet për këtë.

Në një deklaratë për “RTK”-në, ai ka thënë se ndërrimi i ministrave vjen pasi në PDK janë krijuar situata të reja, me zgjedhjen e ish-kryetarit të saj Hashim Thaçi president të vendit, por edhe me vajtjen e ish-ministrit të Integrimit Bekim Çollaku në kabinetin e Presidencës.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se është i vendosur, që si kreu i PDK-së të vendosë figura të reja nëpër ministritë që janë të gatshme të ballafaqohen me përgjegjësitë që kanë para qytetarëve. Ai ka thënë se reformat janë të domosdoshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Top Channel