Bushati: PDIU, jo si Agimi i Artë

13/10/2016 00:00

Duke folur në Top Story, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e cilësoi si të padrejtë heqjen e barazisë nga ana e Athinës mes PDIU-së dhe Agimit të Artë.

“Unë nuk kam dëgjuar gjuhë raciste ndaj fqinjëve tanë në Parlamentin tonë. Asnjë deputet në sallën e Kuvendit tonë nuk ka propozuar ndryshim kufijsh. Sot në Parlamentin shqiptar u fol për ndjesë, u fol për obelisqe, rëndësinë e respektit për të rënët”, tha Bushati.

Lidhur me çështjen çame, Bushati tha se ajo është një dhe e vetme, por brenda mazhorancës ndryshojnë mënyra si artikullohet në varësi edhe të pozicionit që ka gjithsecili.

Ai tha se prania e PDIU-së në koalicionin qeverisës nuk cënon qëndrimin e Shqipërisë për çështjen çame, madje e motivon edhe më tej atë.

Sa i takon marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë, Bushati u shpreh se qeveria shqiptare njeh atë që është nënshkruar nga ish-Qeveria Berisha, megjithëse e konsideroi si defektoze.

 

Top Channel