Berisha: Gërdeci, vrasje shtetërore

13/10/2016 00:00

Tragjedia e Gërdecit është pika e dobët e qeverisjes së Sali Berishës. Për shkak se aty mbetën të vdekur 26 persona dhe u akuzua si i përfshirë djali i tij, kundërshtarët e tij ja përmendin Gërdecin sa herë u jepet rasti.

Por këtë të enjte ish-Kryeministri e përmendi vetë, duke marrë shkas nga  rasti i 17-vjeçarit të vrarë në landfillin e Sharrës.

“Për një çështje që faktohet katërcipërisht, vrasje e mirëfilltë shtetërore, nuk them me dashje. Ardit Gjokleja është vrasje shtetërore. Edhe Gërdecin duhet të shpallet vrasje shtetërore. Por nuk keni ndërgjegjie njerëzore”, deklaroi ish-Kryeministri.

Në një komunikim me Top Channel, ish-Kryeministri shpjegoi arsyen përse e cilëson tani Gërdecin një vrasje shtetërore, qoftë edhe pa dashje.

“Vrasje shtetërore janë vdekjet ku shteti ka përgjegjësi. Ato janë të qëllimshme dhe të paqëllimshme. Në rastin e Gërdecit, përgjegjësia për sigurinë ishte e MEICO-s, pra e shtetit, që nuk garantoi sigurinë e punëtorëve. Aksidenti ishte plotësisht i parandalueshëm, nëse MEICO nuk do të lejonte depozitimin e sasisë kolosale të barutit”, thotë ai.
 
Ish-Kryeministri bëri edhe një shpjegim tjetër.

“Do ta shpallja vetë Gërdecin vrasje shtetërore, por nuk mund ta bëja pa një vendim të formës së prerë nga gjykata. Nuk e pata këtë mundësi, sepse vendimi u dha afër fundit të mandatit tim, por qeveria aktuale ka ende mundësi ta bëjë këtë”, thotë ai.

Top Channel