Nigeri, “Boko Haram” liron 21 nxënëse. Ndërmjetësoi qeveria zvicerane

13/10/2016 00:00

“Boko Haram”, një ndër grupet terroriste islamike më të rrezikshëm në botë, ka liruar 21 nxënëse të rrëmbyera dy vite më parë në Nigeri.

Presidenca e Nigerisë njoftoi se çlirimi i vajzave erdhi si rezultat i negociatave me “Boko Haram”, të ndërmjetësuara nga Kryqi i Kuq dhe qeveria zvicerane.

Por, në duart e terroristëve mbetet ende pjesa tjetër e 270 vajzave, që u rrëmbyen nga shkolla e Chibokut dy vite më parë. Ngjarja shkaktoi atëherë zemërim global dhe nxiti fushatat me moton “Ktheni vajzat tona”, të mbështetura nga Zonja e Parë e Amerikës, Mishel Obama.

Prej 7 vitesh, “Boko Haram” lufton në Nigeri për të krijuar një shtet islamik në verilindje të vendit. Prej konfliktit kanë humbur jetën mbi 15 mijë njerëz dhe janë shpërngulur më shumë se dy milionë të tjerë.

Top Channel