Tajlanda, një vit zi për vdekjen e mbretit “Rama IX”

13/10/2016 00:00

Vdekja e mbretit e ka zhytyr Tajlandën në një periudhë zije, që do zgjasë një vit. Duke dhënë lajmin për ndarjen nga jeta të mbretit Bhumibol Adulyadej, kryeministri tajlandez i ftoi gjithashtu qytetarët që të mos organizojnë festa argëtuese për një muaj.

Mbreti vdiq në spital pas 70 vitesh në fron, që e bënë atë edhe sundimarin më të vjetër në fron. Princi i kurorës, djali i tij Maha Vajiralongkorn pritet të bëhet mbret, edhe pse analistët thonë se trashëgimtarit 63-vjeçar do t’i duhet të japë shumë prova për të ngjallur te populli adhurimin që gëzonte i ati.

Kjo, për shkak se Mbreti Bhumibol, i njiohur edhe si Rama IX, i cili e ka udhëhequr Tajlandën nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore deri në epokën e rrjeteve sociale, nderohej në Tajlandë si njeriu që ruajti ekuilibrat mes grushteve të panumërta të shtetit dhe ndryshimeve të shumta kushtetuese.

Ai u kurorëzua Mbret në vitin 1946, pasi vëllai i tij 20-vjeçar ishte gjetur i vrarë në shtrat, në rrethana misterioze, dhe iu desh të rimëkëmbte Monarkinë e dëmtuar nga abdikimi i xhaxhait të tij vite më parë. I nderuar me një çmim për arritje jetësore nga Kombet e Bashkuara, ndaj tij nuk kanë munguar as momentet kritike, si ai i vitit 1973, kur u doli në mbrojtje protestuesve pro demokracisë, të vënë nën shënjestrën e ushtrisë.

Apo në një kohë më të vonë, kur mbështetësit e kryeministrit të rrëzuar Thaksin Shinawatra e akuzuan oborrin se kishte komplotuar kundër tij. Mbreti refuzoi të përfshihej, por ndikimi i tij u pa te Gjykata Kushtetese, e cila anuloi fitoren e Shinawatrës. Vdekja e tij e lë Tajlandën në kohë të turbullta, nën sundimin ushtarak që prej grushtit të shtetit të vitit 2014.

Top Channel